Kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi, ka reaguar pas arrestimit të komisionerit të kësaj partie nën dyshimet për manipulimin me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ajo nuk e ka mohuar arrestimin e komisionierit të kësaj partie, teksa ka akuzuar mediat për raportime të qëllimshme.
Sipas Rexhepit, raportimet në media janë përdorur për ta sulmuar atë politikisht.
“Prej qindra personave të dyshuar e të arrestuar, në media sot po lakohet me titull që është arrestuar një komisioner i imi. Ky është sulm i qëllimshëm për të më dëmtuar mua. Përgjegjësia është individuale dhe secili person mbanë përgjegjësi për veprimet e tij. Avokatët duhet me respektu etikën e punës dhe nuk duhet të më targetojnë mua në media. E turpshme se si krejt mediat kanë humbur profesionalizmin dhe kanë vendosur foton time në ballinat e tyre. Pse nuk publikohen lajmet për arrestimin e komisionerëve të PDK-së ku vjedhja e votave kap shifrën me mijëra sosh” ka thënë Emilija Rexhepi për Indeksonline.










