Historike: Për herë të parë një person me karrocë shkon në hapësirë

Një moment historik për eksplorimin hapësinor dhe përfshirjen sociale është shënuar këtë fundjavë. Michaela “Michi” Benthaus, 33 vjeçe, inxhiniere gjermane e hapësirës dhe mekatronikës në Agjencinë Europiane të Hapësirës (ESA), është bërë personi i parë në botë që udhëton në hapësirë duke përdorur karrocë.

 

 

Benthaus kaloi përtej Vijës Kármán, kufiri i njohur ndërkombëtarisht i hapësirës në lartësinë 100 kilometra mbi nivelin e detit, gjatë një fluturimi suborbital me kapsulën New Shepard të kompanisë Blue Origin. Ngritja u realizua nga baza e kompanisë në Van Horn, Teksas, në kuadër të misionit NS-37. Fluturimi, që zgjati rreth 10 minuta, i ofroi ekuipazhit disa minuta pa gravitet, ku Benthaus përjetoi pamjen unike të Tokës nga hapësira. Ajo e përshkroi eksperiencën si intensive dhe jashtëzakonisht emocionale, duke theksuar se momenti i ngritjes ishte më mbresëlënësi.

Inxhinierja gjermane përdor karrocë që prej vitit 2018, pas një aksidenti me biçikletë që i shkaktoi dëmtim të palcës kurrizore. Ajo ka deklaruar se më parë nuk e kishte konsideruar kurrë hapësirën si një mundësi reale për persona me aftësi të kufizuara. Përmes këtij misioni, Benthaus synon të nxisë përmirësimin e aksesit në fluturimet hapësinore dhe po mbledh fonde për kërkime shkencore mbi dëmtimet e palcës kurrizore. Udhëtimi i saj konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një epoke më gjithëpërfshirëse të eksplorimit hapësinor.