Gashi: Osmani po i thërret aktivisht deputetët

Analisti Dardan Gashi, në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ka deklaruar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është duke i thirrur në mënyrë aktive deputetët, përkatësisht kandidatët që kanë marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë.

Duke komentuar pjesëmarrjen e Osmanit në Bordin e Paqes, Gashi tha se, po të ishte në pozitën e saj, do ta kishte nënshkruar të njëjtën marrëveshje.

Në një pyetje hipotetike nëse ky veprim i ka siguruar Osmanit edhe një mandat tjetër presidencial nga Donald Trump, ai u shpreh me bindje se “sa ka mujt, ja ka hjek ky nënshkrim”.

“Ju po mendoni që Albin Kurti është i impresionuar prej kësaj pune dhe thotë ‘uh, Vjosa e paska mirë me Trumpin dhe po e bëj president’. Përkundrazi, Donika Gërvalla dhe Albin Kurti kanë mu rrotulla natë e ditë deri të bëjnë çka të munden mos me e lanë, sepse pikërisht kjo nuk iu vlen. Nuk iu vlen një tip si Vjosa Osmani, e cila në mënyrë autonome bën diçka… po ju them diçka, besoj se e dini edhe ju, që Osmani në mënyrë aktive është duke i thirrur deputetët”, ka thënë Gashi.

Ai shtoi se kjo po bëhet për të krijuar mbështetje ndërpartiake.

“Në mënyrë aktive është duke i thirrur deputetët, deputetë të partive të ndryshme. Në kushte normale, në real-politikë, pikërisht kështu e humb mandatin. Mandatin nuk e fiton ti duke thënë ‘unë e kam Amerikën mbrapa’”, ka deklaruar Gashi.