Shqipëria ka humbur 1,144 kilometra lumenj natyrorë nga 2018 deri më 2025-ën.
Këto janë gjetjet e studimit të kryer nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur.
Sipas ekspertes së mjedisit dhe drejtores së qendrës “Lumi”, Besjana Guri, kjo gjë vjen për shkak të ndërhyrjeve të pakontrolluara në lumenjtë e vendit.
“E gjithë kjo rrjedhje lumore, pra 28% më pak është futur nëpër tuba, është devijuar, është shfrytëzuar. Lumenjtë të cilët janë prekur nga ky zhvillim janë pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Rastet ndoshta më shqetësuese ku dhe impakti mjedisor është më i madh dhe më i dukshëm, janë ato të Fanit dhe të Devollit”, u shpreh Besjana Guri, eksperte mjedisi.
Një shqetësim që ngrenë ekspertët është se dëmtimi i rrjedhës së lumenjve do të shtojë edhe fenomenet ekstreme, siç janë përmbytjet.
“Devijimi i lumenjve përveçse rrit thatësirën, ndryshon klimën, ndryshon biodiversitetin, pra kemi humbje të biodiversitetit”, tha ekspertja e mjedisit.
Studimi nënvizon si sukses shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës në mars të vitit 2023, duke parandaluar rreth 40 hidrocentrale të planifikuara, por sërish ngre si shqetësim ndotjen në Vjosë.
“Vërtet kemi një park të mbrojtur ligjerisht. Ka disa hapa që janë ndërmarrë, siç janë krijimi i një administrate, por jemi larg një menaxhimi konkret në terren sepse vërtet kemi problematika që qëndrojnë aty siç është mbetja nga plastika, nga mos trajtimi i mbetjeve, ujërave të patrajtuara nga mbetjet e naftës… Këto janë gjëra që vërtetë nuk kanë gjetur zgjidhje dhe duhet të jenë prioritare për një park kombëtar, aq më tepër të një madhësie të tillë siç është Vjosa”, sqaroi ekspertja.
Sipas studimit, gjatësia e lumenjve në vendin tonë u tkurr nga 3,812 km linearë që ishin në vitin 2018, në 2,668 km linearë në vitin 2025./Klan News










