Kryenegociatori Besnik Bislimi ka njoftuar të enjten në mbrëmje se është arritur dakordim me Serbinë në Bruksel për funksionalizimin e komisionit të përbashkët për jetësimin e marrëveshjes për personat e pagjetur.
“Qëllimi ishte të arrijmë dakordim të funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe më në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv. Tani ka mbetur që në javët e ardhshme të takohen zëvendësit tanë dhe që të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”, ka thënë ai pas takimeve të mbajtura sot.
Bislimi ka bërë të ditur se takimet sot kryesisht kanë qenë bilaterale me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Ai ka thënë po ashtu se në pika të shkurtra janë prekur edhe elemente të tjera, për të cilat sipas tij, pritet të ketë lëvizje pas formimit të Qeverisë së re.
Kurti dhe Vuçiq ishin dakorduar më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur. Palët ishin pajtuar për zbatim të plotë të kësaj deklarate edhe më pas.
Megjithatë, Serbia nuk ka pranuar të marrë pjesë në takime, sipas planifikimeve.
Takimi i sotëm qe i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit. Ndërmjetësi Peter Sorensen në mes të janarit në Kosovë dhe Serbi tha se pret që sivjet dialogu të marrë atë që më 2025 nuk e mori.
Kosova e Serbia nuk kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë që prej vitit 2023.










