Bajrami ndaj Kurtit: Kabinetin që e ke të korruptuar e dinë të gjithë, edhe ata në Davos

Deklarimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në Davos të Zvicrës se ministrave të tij “korrupsioni as s’ju bie në imagjinatë” ka nxitur reagimin e Hykmete Bajramit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këto “garanca absolute” për pastërtinë e ministrave të vet, Bajrami shkruan se tregojnë se Kurti “është urdhërdhënësi (i korrupsionit)”.

“E kam thënë dhe po e përsëris prapë se përtej rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar se kush po e udhëheq vendin. Dëgjojeni Albinin, si thotë të pavërteta pa iu dridhur qerpiku. Qindra e mijëra kontrata të negociuara, ministra me aktakuza, rasti i rezervave shtetërore ku edhe vetë është i implikuar, mafia energjetike, mafia farmaceutike – dhe del burri i botës e thotë se “askush në kabinetet e ministrave të mi nuk ka as imagjinatën më të vogël për t’u përfshirë në korrupsion”. D. M. th. Albini ka arritur të depërtojë edhe në imagjinatën e ministrive dhe jo vetëm të atyre, por edhe të stafit që ministrat kanë në kabinet”, shkruan Bajrami.

Ndër të tjera deputetja shkruan se “të gjithë e dinë që Kurti e ka kabinetin të korruptuar”.

“Albin, që kabinetin e ke të korruptuar e dinë të gjithë – edhe ata në Davos. Po deklaratat e tua në mbrojtje dhe garanca absolute edhe për ministrat me aktakuza tregojnë se ti ke qenë urdhërdhënësi. Përndryshe, kjo mbrojtje, kjo garancë nuk mund të shpjegohet ndryshe”, përfundon Bajrami.