Dezinformatat lidhur me autizmin, reagon IKShPK: Vaksinat MMR na mbrojnë nga sëmundjet që dikur ishin fatale

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka reaguar pas dezinformatave lidhur me vaksinat MMR, për të cilat është thënë se shkaktojnë autizmin.

Përmes një komunikate për media, IKShPK ka bërë të qartë se vaksinimi me vaksinat MMR i mbron fëmijët nga sëmundjet e rrezikshme, në veçanti sëmundjet si paraliza e fëmijëve, difteria, tetanusi e fruthi.

IKShPK ka bërë të ditur se shkenca e ka vërtetuar se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin.

Dhe kjo, sipas IKShPK është vërtetuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe shumë studime ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë.

Komunikata e plotë:

Në Kosovë, për dekada me radhë, vaksinimi ka qenë një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik. Falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, sot fëmijët tanë nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të zakonshme dhe shpesh fatale. Sëmundjet si paraliza e fëmijëve (Poliomieliti) është eliminuar, difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla, Rubella e lindur, që shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda, është parandaluar, ndërsa Fruthi, që dikur ishte shkaktari i shpeshtë i hospitalizimeve dhe vdekjeve, është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR ( Fruth-Parotit-Rubellë). Gjithashtu, janë vënë nën kontroll dhe parandalohen me sukses edhe shumë sëmundje përmes vaksinimit.

Vitet e fundit janë përhapur disa informacione të pasakta që thonë se vaksina MMR shkakton autizëm. Kjo nuk është e vërtetë. Shkenca ka vërtetuar qartë se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin. Këtë e konfirmojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe shumë studime ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë.

Vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje të rrezikshme. Rreziku më i madh për shëndetin vjen nga mosvaksinimi, jo nga vaksinat. Vaksina MMR mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Fruthi nuk është sëmundje e lehtë – ai mund të shkaktojë komplikime serioze si infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete.

IKSHPK rikujton se profesionistët shëndetësor janë burimi kryesor i informatave për prindërit për t’u informuar çdo herë për vaksinimin dhe rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve