Nga 1961 vota sa kishte gjithsej në Komunën e Malishevës, kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Maliqajt, i janë zbritur 927 vota pas përfundimit të rinumërimit të gjitha qendrave të votimit në këtë komunë.
Maliqaj kishte dalë ndër kandidatët më të votuar në këtë komunë pas liderit të partisë, Bedri Hamza, mirëpo pas vendimit për rinumërim renditja tabelare ka ndryshuar.
Kandidatit me numër 31 në listën e PDK-së, Gazmend Maliqajt, i janë zbritur 927 vota.
Maliqajt tashmë në këtë komunë i kanë mbetur vetëm 1034 vota.
Një diferencë të madhe të votave në këtë komunë e kishte edhe kandidati tjetër për deputet po nga radhët e PDK-së, Fetah Paçarizi. Në Malishevë, Paçarizit iu hoqën 728 vota.
Mbi 700 vota pas rinumërimit në Malishevë iu hoqën edhe Adnan Thaçit, kandidatit tjetër nga PDK-ja.
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim ka shpërfaqur diferencë të madhe të votave.
Numrin më të madh të diferencës në vota mes kandidatëve e ka Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin e saj Fetah Paçaraizi.
Deri më tani rinumërimi ka përfunduar në 44.47 për qind të vendvotimeve.










