Pas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, edhe ajo e Ferizajt ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë.
Përmes një njoftimi për media, nga kjo prokurori thanë se në këto hetime po ndërmerren me qëllim të sigurimit të provave relevante, identifikimit të personave përgjegjës dhe administrimit të të gjithë materialit zgjedhor në përputhje me ligjin.
“Veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis”, tha Prokuroria Themelore në Ferizaj.
E njëjta, në njoftim tha se do të mbetet e angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.










