Deputeti i Parlamentit Evropian nga grupi i të Gjelbërve, profesori Vladimir Prebiliç, duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk dëshiron të bisedojë me misionin e Parlamentit Evropian dhe se “nuk i shkon ndër mend të humb kohë”, vlerësoi se kjo është çështje e kulturës politike, e cila nuk është në ndonjë nivel të lartë. Më vjen keq që po dërgohet një mesazh i tillë, ka thënë ai, transmeton Paparaci.
Misioni i Parlamentit Evropian nesër shkon në Serbi. Nëntë deputetë të Parlamentit Evropian nga të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe më të madhin – Partinë Popullore Evropiane, anëtare e së cilës me status të asociuar është SNS-i i Vuçiqit – do të qëndrojnë në Serbi në një moment kur po ndodhin incidente dhe dhunë të reja, përfshirë edhe ngjarjet në Fakultetin Filozofik në Novi Sad.
Profesori Vladimir Prebiliç, duke komentuar ndërhyrjen e policisë në Fakultetin Filozofik në Novi Sad, kur studentët dhe profesorët u nxorën nga ndërtesa, tha se këto nuk janë gjëra normale.
“Edhe vetë kam qenë student i Fakultetit Filozofik në Lubjanë dhe duhet ta them hapur se gjëra të tilla nuk kanë ndodhur as në regjimin e Jugosllavisë. Këto nuk janë gjëra normale, jam i prekur sepse nuk ka asnjë arsyetim dhe interpretim normal pse nevojitet një forcë e tillë në nivel akademik”, ka thënë Prebiliç për N1.
Ai ka shtuar se askush nuk e ka të qartë pse po ndodh kjo.
Liria e shprehjes dhe liria e bashkimit janë vlera themelore, theksoi ai, duke shtuar se përdorimi i forcës është diçka që nuk mund të kuptohet, por vetëm të kritikohet, përcjell Paparaci.
Gjatë vizitës, anëtarët e misionit të Parlamentit Evropian do të bisedojnë me një numër të madh bashkëbiseduesish nga sektori politik, akademik dhe ai civil. Megjithatë, takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryetaren e Kuvendit të Serbisë nuk do të mbahen. Vuçiqi kishte deklaruar më herët se “nuk i shkon ndër mend të humb kohë” dhe se nuk dëshiron të bisedojë me ta, ndërsa për kryetaren e parlamentit nuk është e qartë nëse ndodhet në Estoni apo po kthehet prej andej, por është konfirmuar se takim me misionin nuk do të ketë. Deputeti i Parlamentit Evropian nga grupi i të Gjelbërve deklaroi se misioni vjen me qëllim që të kontribuojë në krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi.
“Ne jemi të hapur, nuk mund të ndajmë gjithmonë të njëjtin qëndrim, por jemi persona të civilizuar, mund të gjejmë kompromis. Meqenëse Vuçiqi tha se nuk ka kohë të takohet me ne, kjo është çështje e kulturës politike, e cila nuk është në ndonjë nivel të lartë. Kjo është një mundësi e humbur për të shkëmbyer qëndrime dhe më vjen keq që po dërgohet një mesazh i tillë”, tha ai.
Prebiliç ka theksuar se Komisioni ka pezulluar fondet nga Plani i Rritjes për Serbinë.
“Ajo që është e rëndësishme tani është se Komisioni ka pezulluar fondet që duhej të vinin në Beograd përmes Planit të Rritjes, sepse reformat nuk janë miratuar dhe ky është një sinjal i qartë se gjërat duhet të ndryshojnë. Nga ana e Brukselit gjithmonë do të ketë mbështetje, por së pari duhet të kryhet detyra në Beograd”, tha ai.
“Jo vetëm që nuk po ecet përpara, kemi ndjesinë se po shkohet mbrapa”, ka shtuar ai./Paparaci.com










