Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për veprën penale të fyerjes.
Sipas vendimit të gjykatës, Shehaj është shpallur fajtor dhe është detyruar të paguajë një gjobë prej 3 milionë lekësh të vjetra e cila përfshin shpenzimet e procesit gjyqësor.
Gjykata dha pafajësi për akuzën e shpifjes.
Çështja nisi pas një padie të depozituar nga Adriatik Lapaj, i cili e akuzoi Shehajn për shpifje, lidhur me deklarata publike ku pretendoheshin lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.
Në deklaratat e tij, Agron Shehaj kishte akuzuar Lapajn se kishte përfituar 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK, pasi dyshohej se përdorej për pastrimin e parave të një grupi kriminal të njohur si “Çopjat”.
Nga ana e tij, Adriatik Lapaj i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë shumë parash dhe se shumat e përmendura lidhen me detyrime të pretenduara për shërbime ligjore si avokat ndaj kompanisë në fjalë.
Gjykata, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi dënimin e Shehajt për fyerje, duke mbyllur kështu procesin gjyqësor në shkallën e parë.










