Rugova pozicionohet përkrah Abdixhikut? Djali i ish-presidentit: Po bëni punë të mirë

 

Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, e ka falënderuar Lumir Abdixhikun për “punë të mira” në mbrojtjen e trashëgimisë së presidentit historik dhe “për të mirën e Kosovës”.

Kandidati për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, i tha këto fjalë pozitive për liderin aktual të LDK-së në një kohë të paqartë rreth lidershipit të Abdixhikut në parti.

“Ju faleminderit dhe njëherë për punën e mirë që po bëni në trashëgimin e Presidentit Rugova në LDK dhe për të mirën e Kosovës dhe për të vazhduar miqësinë e përhershme me SHBA dhe Bashkësinë evropiane. Të faleminderit shumë kryetar”, u shpreh Rugova pasi bashkë me Abdixhikun kryen homazhe te varri i babait të tij të ndjerë.

Sot, më 21 janar, bëhen 20 vjet nga vdekja e ish-presidentit historik të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Krerët shtetërorë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Dimal Basha kanë kryer sot homazhe te varri i ish-presidentit në nderim të veprës së tij.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka pasur të pamundur prezencën për shkak se ndodhet në një vizitë jashtë vendit në Forumin e Davosit në Zvicër. /Paparaci.com