Ivanka Trump, vajza e Donald Trump dhe Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, kanë mbërritur këtë të mërkurë në qytetin e Vlorës, ku pritet të zhvillojnë një sërë takimesh private me studio arkitekturore dhe përfaqësues të fushës së zhvillimit urban dhe turistik.
Burime për Report TV bëjnë të ditur se vizita e Kushner lidhet me interesin për projekte të mundshme zhvillimore në Ishulli i Sazanit dhe zonën e Zvërnec, dy nga hapësirat më të diskutuara vitet e fundit për investime strategjike.
Takimet e planifikuara pritet të zhvillohen në një nga hotelet e zonës së Lungomares në Vlorë, larg vëmendjes publike dhe mediave. Burime bëjnë me dije se në këto takime fokusi do të jetë mbi konceptet arkitekturore, zhvillimin turistik elitar, si dhe mundësitë e integrimit të projekteve me karakter natyror dhe historik të zonës.

Mbërritja e Kushner në qytetin bregdetar është shoqëruar me masa të forta sigurie, të ndërmarra nga Policia e Vlorës, ç’ka ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe ka konfirmuar karakterin sensitiv të vizitës. Forcat e rendit kanë qenë të pranishme në pikat kryesore të lëvizjes së delegacionit, si dhe pranë ambienteve ku pritet të zhvillohen takimet.
Sipas informacioneve paraprake, Kushner pritet të qëndrojë gjatë gjithë ditës së sotme në Vlorë, ndërsa temat e diskutimit, siç e përmendëm më sipër, lidhen drejtpërdrejt me projektet e pritshme zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara si zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.
Kjo është hera e dytë që dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump viziton Vlorën, ç’ka tregon një interes të vazhdueshëm për këtë zonë dhe për projektet që mund të zhvillohen në të ardhmen.









