Dushi për Rugovën: Emër që zë vend të veçantë, historikisht i pakrahasueshëm

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Florian Dushi ka kujtuar Ibrahim Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

Dushi ka thënë se në historinë moderne të shqiptarëve, emri i Ibrahim Rugovës zë vend të veçantë dhe historikisht të pakrahasueshëm.

Sipas Dushit, Rugova e reformoi mendimin politik shqiptar, duke ndërtuar projekt të qartë dhe koherent.

Postimi i tij:

Në historinë moderne të shqiptarëve, emri i Ibrahim Rugovës zë një vend të veçantë dhe historikisht të pakrahasueshëm. Ai nuk ishte thjesht presidenti i parë i Kosovës, por arkitekti politik dhe moral i një platforme të re për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan – një platformë që e zhvendosi këtë çështje nga logjika e përplasjeve të dhunshme në tryezat e diplomacisë ndërkombëtare.

Rugova e reformoi mendimin politik shqiptar duke ndërtuar një projekt të qartë dhe koherent: Kosova – shtet i lirë, i pavarur, demokratik dhe i orientuar drejt Perëndimit. Në një kohë kur populli i Kosovës përballej me represion sistematik, ai zgjodhi rrugën e rezistencës paqësore, duke e shndërruar atë në instrument politik të besueshëm për botën demokratike. Kjo qasje nuk ishte dobësi, por vizion i thellë strategjik, që synonte fitimin e besimit dhe të legjitimitetit ndërkombëtar për mbrojtjen e substancës shqiptare në Kosovë.

Një nga arritjet më madhore të Rugovës ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës. Me durim, këmbëngulje dhe autoritet moral, ai arriti ta bëjë Kosovën temë të përhershme në agjendat e qendrave kryesore të vendimmarrjes botërore. Në kancelaritë evropiane, në Washington dhe në forumet ndërkombëtare, Rugova fliste me gjuhën e vlerave universale: lirisë, të drejtave të njeriut, demokracisë dhe paqes. Kjo gjuhë e bëri Rugovën, por veçanërisht Kosovën të kuptueshme dhe të pranueshme për aleatët tanë natyrorë.

Rugova ishte burrështetas me autoritet të paprecedentë në historinë shqiptare. I respektuar si askush para Tij nga udhëheqës botërorë, Rugova përfaqësonte një figurë të rrallë: intelektualin që u shndërrua në lider nacional pa humbur asnjëherë qetësinë, maturinë dhe dinjitetin. Autoriteti i tij nuk buronte nga forca, por nga besueshmëria, qëndrueshmëria, guximi dhe vendosmëria për të realizuar projektin për shtetin e Kosovës.

Sot, trashëgimia e Rugovës nuk është vetëm historike; ajo është edhe udhërrëfyese, veçanërisht për shtetin dhe shoqërinë tonë të trazuar nga politikanë e politika populiste që kanë degraduar çdo segment të jetës. Ajo na mëson se shtetndërtimi kërkon vizion afatgjatë, aleanca të qëndrueshme dhe respekt të pakompromis për demokracinë. Projekti i tij për Kosovën – shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik – mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja jonë politike.

Prandaj, në këtë përvjetor përkujtimi, Ibrahim Rugova nuk kujtohet vetëm si president, por si ideator i një epoke, si simbol i rezistencës së mençur dhe përfundimisht si themelues i shtetit të pavarur, sovran e demokratik të Kosovës.