Juristja e mediave, Flutura Kusari ka reaguar pasi Koorporata Energjetike e Kosovës paditi deputeten e zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymerin për shpifje.
Kusari thotë se padia është presion i drejtpërdrejtë politik në media.
Shton tutje se e njëjta është edhe e palejueshme.
“Padia është e palejueshme sepse autoritetet publike nuk kanë të drejtë të kërkojnë kompensim dëmi për shpifje dhe fyerje. KEK është ndërmarrje publike, pra autoritet publik dhe nuk ka të drejtë të ushtrojë këso lloj padish”, shkruan Kusari.
Tutje thotë se “të paditurit në përgjigjet e tyre do të kërkojnë hedhjen poshtë të kësaj padie si të palejueshme”.
Kusari thotë se qëllimi i padisë është heshtja e kritikave ndaj KEK-ut.
“Kjo është padi e ushtruar nën ndikimin politik, sipas modelit hungarez-alla Orban, me qëllim që të heshtet kritika ndaj KEK dhe të intimidohen të tjerët. Kjo dëshmohet nga vetë publikimi i padisë në Facebook nga ana e KEK”, shkruan ajo.
“Ka vend për shqetësim sepse ky është një sinjal se çfarë na pret nga VV-ja në gjysmë dekadën e ardhshme. Do të përdoret çdo mjet për të cenuar lirinë e shprehjes ashtu siç ka ndodhur në pesë vitet e fundit. Ia rikujtoj KEK-ut dhe VV-së që autoritetet publike nuk gëzojnë reputacion në kuptimin ligjor dhe se demokracia kërkon që ato mund të kritikohen hapur prandaj edhe duhet të tregojnë nivel të lartë të tolerancës”, përfundon Kusari.










