Karriget që fluturonin, grushte e fytyra të përgjakura në mbledhjen famëkeqe të njohur si “Kuvendi i Karrigeve” të vitit 2006, do të simbolizonin nisjen e një beteje të gjatë të LDK-së, jo me pushtetin e partive të tjera, por atë me veten. Betejë në kërkim të identitetit të humbur pas vdekjes së liderit Ibrahim Rugova.
Katandisja e LDK-së në dy palë zgjedhje parlamentare të mbajtura brenda një viti, ka shpërfaqur pakënaqësitë e brendshme nga shumë akterë të lartë të kësaj partie. Dështimet në zgjedhje kanë shpërfaqur edhe mungesën e autoritetit të figurës së kryetarit, Lumir Abdixhiku që nuk mori masa ndaj anëtarit të kryesisë, Xhafer Tahiri, të cilin e akuzoi se kishte bërë marrëveshje prapa shpinës së tij, me Lëvizjen Vetëvendosje në garën e balotazhit në Vushtrri.
Shenjat e para të krisjes brenda lidershipit të ri të LDK-së u vërejtën pas zgjedhjeve të muajit shkurt, kur ish-kryeministri e ish-deputeti, Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së LDK-së dhe ish-deputeti, Arben Gashi u ankuan për vjedhje votash brenda partisë.
Në një bashkëbisedim në aplikacionin e bisedave “Viber”, Gashi ishte përplasur me Kujtim Shalën dhe kishte kërkuar që vjedhjes së votave t’i vihej emri: “Skemë e organizuar kriminale”.
Ndërkaq, Hoti qoftë publikisht dhe në komunikimet brenda partisë, ishte ankuar për favorizime personale të liderit të partisë Lumir Abdixhiku në vendosjen e emrave në listën e kandidatëve për deputetë e deri te fuqizimi i disa kandidatëve nëpërmjet paraqitjeve mediatike. Për këtë kishte kërkuar edhe ndërrim të lidershipit të LDK-së. Mirëpo kjo nuk është histori e re e përplasjeve.
Kuvendi i Karrigeve
Këto janë shenja të vragës së madhe brenda LDK-së që nuk i është hequr që prej nëntorit të vitit 2006 në atë që njihej si Kuvendi i Karrigeve kur u bë çarja e madhe e LDK-së. Krejt kjo kishte ndodhur as pa u bërë një vit që prej vdekjes së presidentit të Kosovës dhe kryetarit të kësaj partie, Ibrahim Rugovës.
Kuvendi i LDK-së përfundoi me grushte, hedhje karrigesh e krejt në fund me të lënduar. Mbahet mend edhe fjalia e Gani Gecit kur bërtiste se “pushtetin do t’ua marrë Hashimi [Thaçi]. Fundi i Kuvendit të Karrigeve solli ndarjen në dysh të LDK-së, grupit që mbështesnin Fatmir Sejdiun dhe ai që e mbështeste Nexhat Dacin. Pas kësaj mbledhjeje, u formua edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, e prirë nga Daci.
LDD-ja pati sukses të shkurtër në zgjedhjet e vitit 2007, por menjëherë nisi t’i zbehej mbështetja dhe shumë anëtarë të partisë u kthyen në shtëpinë e tyre të vjetër, LDK.
Kuvendi i Karrigeve simbolizoi shpërfaqjen e polarizimeve dhe interesave të brendshme të LDK-së që nuk e mori kurrë veten dhe nuk arriti të ngrihej.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri për “Kuvendin e Karrigeve” kishte thënë se ishte investuar gjatë që LDK-ja të prishej.
“Atë kohë ka qenë investim shumë i madh me thy LDK-në”, kishte deklaruar Haziri në një intervistë në T7.
Ndërsa ka folur për garën mes Fatmir Sejdiut e Nexhat Dacit, nënkryetari Haziri ka thënë se ai ka mbështetur Sejdiun, por ka treguar se Daci nuk ka pasur kurrfarë aspirate as të bëhet kryetar i LDK-së as president i Kosovës.
Ai ka thënë se ky Kuvend ka shkaktuar dëme të mëdha për partinë pasi LDK i humbi të gjitha komunat përveç Podujevës dhe Istogut si dhe humbi pushtetin.
Përplasjet e tërheqjet zvarrë
Për më shumë se dhjetë vjet, LDK-ja bëri përpjekje të reformohej dhe dolën në pah fytyra të reja, ani pse ishin angazhuar në këtë parti nëpër pozita të ndryshme. Në pah dolën figura si Vjosa Osmani që ishte e angazhuar si shefe e stafit të presidentit Fatmir Sejdiu. Përkrah saj ishte edhe Donika Gërvalla që ishte kryetare e degës së LDK-së në Gjermani.
Në një skenave që i la hije të keqe LDK-së ishte edhe dëbimi i Gërvallës nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së në vitin 2016.
Ajo u tërhoq zvarrë nga pjesëtarët e sigurisë teksa ajo i akuzonte se ishin bërë njëjtë si “klubi i SHIK-ut”.
“A jeni normal a nuk jeni? Në cilën shpi jeni këtu more? Cila shpi është qekjo? Ku keni përfundu? Jeni ba ma zi se klubi i SHIK-ut, a e dini more ju që na shihemi edhe më vonë, a e dini që shihemi diku. Na bat paçavër na bat”, thoshte Gërvalla pasi u tërhoq zvarrë deri te dera e sallës ku po mbahej mbledhja. Përkrah saj ishte edhe Osmani që kishte lëshuar sallën në shenjë pakënaqësie për Gërvallën.
Gërvalla dha dorëheqje dy vjet më vonë, më 11 shkurt 2018 kur me një letër të gjatë kritikonte LDK-në. Letrën e kishte titulluar si “Letra me të vërtetat e hidhura të LDK-së.
Në këtë letër, Gërvalla kishte shkruar se LDK-ja e atyre ditëve nuk ishte ajo e dikurshmja, të ditëve të lavdisë. LDK-në e vitit 2018 e kishte cilësuar si papërmbajtje, pa parime, pa besë e pa koncepte. Sipas saj, LDK-ja ishte e pareformueshme.
“Duhet një frymë e re dhe largimi nga strukturat e vjetra. Strukturat e vjetra nuk e kanë të gjatë: të korruptuara, të kriminalizuara, pa kredibilitet tek qytetarët dhe tek partnerët politik. Është koha që të gjithë së bashku të hapim një kapitull të ri për Kosovën”, kishte shkruar Gërvalla.
“Kurrë me Vetëvendosjen”
Ndërkohë, Vjosa Osmani qëndroi në LDK deri në vitin 2020, ani pse thoshte se do të pensionohej në rast se do të dilte nga LDK-ja.
Në një përplasje me Shqipe Pantinën në një seancë të Kuvendit të Kosovës, Osmani, përkrah Abdixhikut thoshte se bashkë me të kurrë nuk do të jetë me Vetëvendosjen.
“Vërtet je ka e dëshmon katërçipërisht që jeni po ai brumi i njëjtë. Vetëm shiko sa ish-deputetë të PDK-së ke përreth, sa ish-LPK-istë ke përreth. Dhe do ta marrësh përgjigjen përse unë e lumiri, jo sot, por kurrë nuk do të vijmë në Vetëvendosje”, i drejtohej Osmani deputetes së Vetëvendosjes.
Ndërkaq, në një intervistë televizive, Osmani ishte shprehur e bindur se në ditën që nuk është në LDK, nuk do të jetë as në politikë.
“Në ditën që nuk jam në LDK nuk jam as në politikë. Kaq. Aty unë e përfundoj karrierën time politike”, kishte thënë Osmani në këtë intervistë.
Mirëpo në vitin 2020, Osmani nisi kritikat në drejtim të partisë, fillimisht për prishjen e koalicionit VV-LDK dhe më pas edhe qeverinë e Avdullah Hotit.
Këto kritika, çuan te përjashtimi i saj nga posti i nënkryetares së LDK-së, ndërkaq, më vonë u largua përfundimisht nga partia.
Për zgjedhjet e vitit 2021, Osmani nuk u pensionua ani pse doli nga LDK-ja, por lidhi koalicion me atë që thoshte se kurrë nuk do t’i bashkohej, Lëvizjes Vetëvendosje.
LDK-ja e Abdixhikut
Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2021 kur LDK-ja doli e treta, partia në mars zgjodhi Lumir Abdixhikun për kryetar të vetin.
Në përpjekjen e tij për të reformuar partinë, Abdixhiku prej vitit 2021, afroi fytyra të reja si Doarsa Kica-Xhelilin, Jehona Lushakun, deri atë kohë e angazhuar si profesoreshë në Universitetin e Prishtinës në fakultetin e shkencave politike, Alban Zogaj, Paris Guri e së voni edhe Ermal Sadiku.
LDK-ja e prirë nga Abdixhiku doli e treta me 18.27 për qind në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Pas rezultateve, dolën në pah akuzat e brendshme për vjedhje votash. Hoti publikisht më 18 mars të vitit 2025 kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut. Mirëpo këto probleme u sheshuan përbrenda, me thirrjet e Abdixhikut që kolegët të mendonin fillimisht për rezultatin e partisë.
Pasi humbi zgjedhjet për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, anëtar i kryesisë së LDK-së, lidhi koalicion me Vetëvendosjen që ishte në balotazh me PDK-në për Vushtrrinë.
Abdixhiku e akuzoi Tahirin se marrëveshjen e kishte bërë pas shpinës së tij dhe se qe marrëveshje që nuk e aprovonte ai. Për këtë premtoi masa pas balotazhit.
Më 23 tetor të 2025-s, në një paraqitje në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Abdixhiku u zotua të merrte masa të rënda ndaj Tahirit që lidhi pa autorizimin e partisë marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për balotazhin e zgjedhjeve lokale në Komunën e Vushtrrisë.
Por, kur kanë kaluar gati dy muaj nga certifikimi i rezultateve zgjedhore lokale, duket se Tahiri ka shpëtuar “pa ther në këmbë” për manovrat krye në vete politike në emër të LDK-së në Vushtrri.
LDK-ja e prirë nga Abdixhiku pësoi edhe më shumë rënie në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. LDK-ja ra në 13.23 për qind.
Pas këtij rezultati të dobët, përsëri u kërkua dorëheqja e Abdixhikut që mori përgjegjësi për këtë rezultat.
Abdixhiku ka dorëzuar dorëheqjen dhe për fatin e tij ka thënë se do të vendos partia në kuvendin e saj.
Ndërkaq, Avdullah Hoti ka kërcënuar me dorëheqje nga organet drejtuese të LDK-së nëse nuk merret përgjegjësia.
“Për këtë arsye, në takimin konsultativ të para dy ditëve kam paralajmëruar qartë se, nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, do të pasojë dorëheqja ime nga organet drejtuese të LDK-së. Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së”, shton Hoti.
Ai ka sqaruar se statuti i LDK-së është i qartë që kërkon dorëheqje pas rezultatit të dobët zgjedhor, derisa shton se këtë standard e ka vendosë vet kryetari aktual Lumir Abdixhiku.
“Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse”, shkruan Hoti.
Ai po ashtu ka thënë se “askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri”./Paparaci.com.










