Shumë presin që protagonistët e Inter–Arsenal të jenë Lautaro Martinez, Thuram, Gyökeres apo Saka, por shifrat tregojnë një tjetër histori. Ndeshja mund të vendoset nga goditjet standarde. Interi dhe Arsenali i ndërtojnë sukseset e tyre kryesisht nga këndoret, penalltitë dhe goditjet e dënimit. Zikaltrit kanë shënuar 16 gola nga situatat statike në të gjitha kompeticionet, ndërsa “topçinjtë” 28.
Tek Interi, roli kyç i stafit dhe veçanërisht i Angelo Palombo, i kërkuar nga Chivu që në verë, ka sjellë 12 gola nga goditjet standarte në Serie A, më shumë se kushdo tjetër. Në Europë, vetëm Arsenali (bashkë me Tottenham) ka bërë më mirë nga këndoret (11 kundrejt 9). Chivu ka konfirmuar se Interi do të vazhdojë mbrojtjen në zonë, i vetëdijshëm për rrezikun.
Tek Arsenali, arma sekrete quhet Nicolas Jover. Që nga viti 2021, ai e ka kthyer ekipin e Artetës në më të rrezikshmin në Europë në situatat statike; 24 gola nga goditjet e lira dhe këndoret, si dhe 4 penallti. Me Saka dhe Rice në krahë dhe Gabriel si kërcënimin kryesor në zonë, goditjet standarte janë kthyer në simbol. Edhe sonte në “San Siro”, ky aspekt mund të bëjë diferencën.
The post Inter–Arsenal, përballje mes “mbretërve” të goditjeve standarde. “Arma sekrete” e Chivu dhe Arteta appeared first on Telesport.










