Maqedonci: Kosova e para në Ballkanin Perëndimor për Siguri Strategjike

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se sipas “Normandy Index 2025”, të përgatitur nga Shërbimi Kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor për Siguri Strategjike.

Ndërsa, renditet e 13-ta në botë për nivelin më të ulët të kërcënimeve strategjike ndaj paqes dhe demokracisë.

“Indeksi mat fusha kyçe si: stabilitetin politik dhe institucional, sundimin e ligjit dhe funksionimin demokratik, reziliencën ndaj dezinformimit dhe ndikimeve të huaja, rrezikun e konflikteve dhe sigurinë kombëtare, kërcënimet hibride dhe presionet gjeopolitike”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se Kosova pozicionohet në mesin e 10% vendeve më të sigurta në botë.

Maqedonci ka thënë se ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për stabilitetin, progresin dhe orientimin euroatlantik të vendit.