Abdixhiku: Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë, s’llogariti fatin tim individual

Pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kuvendi i LDK-së do të zhvillohet më 31 janar, duke respektuar statutin dhe traditën demokratike të partisë.

Abdixhiku theksoi se LDK i zgjidh çështjet e saj përmes rregullit, transparencës dhe respektit ndaj anëtarësisë.

Tutje ai shtoi se në LDK nuk i ikin asnjëherë përgjegjësisë dhe se ai s’llogarit fatin e tij individual.

“Sot mbajtëm mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas diskutimit të hapur dhe të përgjegjshëm, morëm vendimin që Kuvendi i LDK-së të thirret më 31 janar, aty ku, sipas statutit dhe traditës sonë demokratike, vendoset për çështjet më të rëndësishme të partisë. Kjo është mënyra jonë e veprimit; me rregull, me transparencë dhe me respekt për anëtarësinë. LDK i zgjidh çështjet e brendshme aty ku e kanë vendin; në organet e saj dhe para delegatëve të zgjedhur. Në një kohë kur politika shpesh ushqehet me tension dhe gjuhë përçarëse, ne zgjedhim maturinë. Zgjedhim qetësinë, dialogun e gjërë dhe besimin në demokracinë e brendshme. Debati është i shëndetshëm; përçarja pa debat dhe pa demokraci është dëm”.

Ai shtoi se Kuvendi nuk përbën krizë, por një mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave të partisë dhe për të dalë më e fortë nga ky proces.

“LDK ka kaluar shumë sfida dhe gjithmonë ka ditur të ruajë boshtin e saj: demokracinë, dinjitetin dhe besimin te anëtarësia. Edhe kësaj here do të dalim më të bashkuar dhe më të gatshëm për sfidat që na presin, pa i llogaritur fatet tona individuale. Aq më pak timin.

Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë. As kur është e lehtë, e sidomos kur është e vështirë. Sepse kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe për përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh. Prandaj, me përgjegjësi përballemi; para anëtarësisë.  Pas 31 janarit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur për betejat që na presin”, tha Abdixhiku.