Lladrovci jep zgjidhje për minimizimin e manipulimeve: Një votë – një kandidat

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas vendimit për anulimin e rezultateve të numërimit të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe njoftimit se procesi do të rinumërohet në 28 komuna.

Ai tha se ky zhvillim ishte “i ditur dhe i pritur”, duke theksuar se problemi nuk qëndron te qytetarët, por te mungesa e transparencës dhe zbatimit të ligjit në vetë procesin zgjedhor.

Sipas Lladrovcit, mënyra e deritanishme e numërimit ka dëmtuar reputacionin e shumë kandidatëve, të cilët, siç thotë ai, kanë hequr dorë nga politika pikërisht për shkak të parregullsive dhe jo mungesës së votave. Ai vlerëson se demokracia në vend është e brishtë dhe se “është e sëmurë pikërisht në procesin më të ndjeshëm – atë zgjedhor”.

Kryetari i Drenasit u shpreh sërish kundër modelit aktual të listës me 10 kandidatë, duke e konsideruar të padrejtë dhe të papërshtatshëm. Sipas tij, qytetarët shpesh nuk votojnë të gjithë kandidatët e listës, çka rrit hapësirat për manipulim. Ai propozon që bartësi i listës të jetë lidershipi i subjektit politik dhe të votohet vetëm një kandidat.

Në fund, Lladrovci apeloi për veprim të institucioneve të drejtësisë, digjitalizim të procesit të votimit dhe ndryshim të ligjit zgjedhor, duke mbështetur modelin “një votë – një kandidat”, si rrugë për rritjen e besimit publik dhe mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.