KEK-u padit për shpifje Janina Ymerin, kërkon kompensim të dëmit

Korporata Energjetike e Kosovës ka parashtruar padi civile për shpifje ndaj kandidates për deputete nga LDK-ja, Janina Ymerit.

Në një njoftim për media të hënën, KEK tha se padia është parashtruar si pjesë e veprimeve ligjore për mbrojtjen e integritetit institucional.

KEK pretendon se kandidatja për deputete e ka dëmtuar reputacionin e koorporatës me deklarimet e bëra në një paraqitje televizive në emisionin Rubikon të Klan Kosovës më 27 nëntor të vitit të kaluar.

“Në të njëjtën kohë, KEK sh.a., në ushtrim të kompetencave ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë çdo masë raportimi, përfshirë raportimin në rrjetet sociale, si dhe çdo veprim ligjor për të ndaluar përhapjen e informatave të rrejshme dhe propagandës, përfshirë rastet kur ato vijnë nga zyrtarë publikë”, tha KEK në njoftim.

Në padinë e parashtruar, KEK pretendon se Ymeri është prezantuar rrejshëm si “eksperte e energjisë”.