IPK evidenton mangësi në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

IPK publikoi Raportin e inspektimit “Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës”

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin e inspektimit “Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të këtij institucioni, dobësitë në fushën e organizimit dhe burimeve njerëzore dhe ato në fushën e aktivitetit operativ hetimor te Stacionet Policore që kanë qenë subjekt i këtij inspektimi.

“Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: vlerësimi i kapaciteteve policore për trajtimin e rasteve, vlerësimi i reagimit policor dhe hetimit të rasteve të dhunës në familje, vlerësimi i aktiviteteve policore në monitorimin e urdhrave mbrojtës, si dhe vlerësimi i përmbajtjes së dosjeve dhe evidencave”, njofton IPK.

Megjithatë, raporti ka evidentuar dobësi në fushën e organizimit dhe burimeve njerëzore e që pasqyrojnë mosfunksionalizimin e ekipeve të hetimeve të dhunës në familje në disa prej stacioneve dhe mosplotësimin e vendeve të punës në disa prej ekipeve të hetimeve.

Përveç kësaj, ka mangësi në dosjet e raporteve njoftuese dhe mos aplikim të vlerësimit të rrezikut për viktimat.

“Në fushën e aktivitetit operativ hetimor janë evidentuar dobësi që pasqyrojnë se në disa prej dosjeve të inspektuara vërehen mungesë të raporteve njoftuese për Prokurorin mbi dyshimet e arsyeshme të kryerjes së veprave penale  si dhe mos aplikim të vlerësimit të rrezikut për viktimat sipas standardit në disa prej dosjeve të inspektuara”, evidenton IPK.

Inspektorati në kuadër të Raportit ka dhënë gjashtë (6) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e funksionalizimit të plotë të ekipeve të hetimit të dhunës në familje, trajnimit të burimeve të angazhuara në këto njësi, ngritjen e cilësisë së intervistave, zgjerimin e intervistave edhe me dëshmitarë tjerë potencial, nxjerrjen e raporteve ditore mbi rastet, respektimin e zinxhirit të plotë komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale në Prokurorinë e Shtetit.