Mbappé për shkarkimin e Xabi Alonso: Nuk do të bëj budallain, sigurisht që ndodhin gjëra

Largimi i Xabi Alonso nga pankina e Real Madridit ishte një nga temat kryesore në konferencën e Kylian Mbappé. Fillimisht, sulmuesi mohoi që trajneri u shkarkua për probleme me lojtarët, por më pas pranoi se “diçka ka ndodhur”: “Nuk do të bëj budallain. Sigurisht që ndodhin gjëra. Më ka ndodhur në Paris dhe në Madrid, ndodh në të gjitha klubet e mëdha. Ka shumë gjëra që thuhen dhe në fund nuk janë të vërteta. Ne duhet t’i pranojmë dhe të flasim në fushë”.

Ai konfirmoi se ka folur me Xabi Alonso ditën e largimit: “Doja ta mbështesja, sepse nuk është e lehtë. Nuk më takon mua të gjykoj nëse shkarkimi ishte i drejtë apo jo”. Mbappé theksoi respektin për vendimin e klubit dhe mbështetjen për trajnerin e ri, Álvaro Arbeloa.

Sipas tij, të thuash se Xabi Alonso nuk pati sukses “nuk është e vërtetë. Ai u largua para se të vendoseshin të gjithë titujt dhe humbi vetëm Superkupën e Spanjës. Për mua do të mbetet një trajner shumë i madh”.

Mbappé mohoi se kishte udhëtuar në Arabinë Saudite për të ndikuar te situata e Xabi Alonso, siç raportoi “L’Equipe”: “A duhet të komentoj gjithçka që thonë gazetarët francezë? Unë udhëtoj sepse dua të luaj gjithmonë çdo ndeshje. Qoftë mirë apo keq, unë jam kështu. Dua të luaj çdo takim dhe, nëse kam mundësi, do të shkoj”.

Ai shpjegoi se me klubin ishte bërë një plan që të kthehej për Superkupën, por “nuk ishte e mundur të luaja ndaj Atletico Madridit. Ishte shumë e trishtueshme të qëndroja këtu dhe të shihja shokët duke luajtur e konkuruar. Në finale nuk isha gati për të luajtur”.

Mbappé shtoi se trajneri i kërkoi të udhëtonte për të mbështetur ekipin, “diçka krejt normale për një ndeshje kaq të rëndësishme. U përpoqa të luaja sa munda. Nuk shkoi mirë sepse nuk fituam, por tani jam kthyer për ta ndihmuar ekipin dhe bërë gjërat siç duhet”.

The post Mbappé për shkarkimin e Xabi Alonso: Nuk do të bëj budallain, sigurisht që ndodhin gjëra appeared first on Telesport.