Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 euro bruto në 425 euro bruto, vendim që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.
“Paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 € bruto në 425 € bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, zbatimi i këtij vendimi do të realizohet në dy faza, me qëllim lehtësimin e përshtatjes së punëdhënësve.
“Zbatimi i vendimit për rritjen e pagës minimale do të realizohet në dy faza ashtu që të jetë më e lehtë për punëdhënësit t’i përshtaten ndryshimit në mënyrë graduale.”
Faza e dytë e rritjes është paraparë për mesin e vitit.
“Faza e dytë do të fillojë më 1 korrik, kur paga minimale do të arrijë në 500 € bruto”, ka njoftuar Ministria e Financave.
Ministria vlerëson se kjo rritje është e rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
“Kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës. Institucionet përgjegjëse do të sigurojnë zbatimin e plotë dhe të rregullt të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.










