Për herë të parë për shitblerjen e ndërtesave/apartamenteve në vend do të aplikohen çmime fiskale edhe për fshatrat.
Monitor zbardh çmimet më të larta të referencës që do të aplikohen në zonat rurale, që përkojnë si vijë e parë e ndërtimit e zonave bregdetare.
Sipas tabelave dhe hartave digjitale, çmimet më të larta të referencës për fshatin, kryesohen nga vija e parë e ndërtimit në Gjirin të Lalzit dhe Hamallaj në vlerën e 190 mijë lekë për metër katror.
Më pas çmimet më të larta të referencave janë propozuar për vijën e parë të ndërtimit në fshatrat e Himarës, si Dhërmi dhe Palasë, me vlerë reference 140 mijë lekë/m2. Në fshatin Vuno çmimi i referencës do të jetë 100 mijë lekë dhe në Livadh 81 mijë lekë/m2.
Në Sarandë fshati më i shtrenjtë do jetë Ksamili, çmimet e referencës do të jenë 100 mijë lekë/m2. Në Vlorë, çmimet e referencës për vijën bregdetare të fshatrave Radhimë dhe Orikum do të jenë 90 mijë lekë/m2 që përbëjnë dhe zonat më të shtrenjta rurale të bashkisë Vlorë. Në Velipojë çmimi i referencës do të jetë 75 mijë lekë për metër katror dhe në Tale të Lezhës 70 mijë lekë për metër katror.
Mbi çmimet e referencës bashkitë llogarisin detyrimin për taksën e ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë. Nëse aktualisht për llogaritjen e bazës së taksueshme të këtyre taksave që është vlera e pronës përdoren çmimet e referencës, për zonat rurale në mungesë të tyre, përdorej çmimi i qytetit por i reduktuar 35%. Me ndryshimet e reja të propozuara, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të reduktojnë çmimet e referencës për zonat rurale, por do të detyrohen të zbatojnë çmimet e reja që qeveria propozon. Projektvendimi i ndryshuar pritet të miratohet në qeveri.
Më përfshirjen e zonave rurale në hartën e çmimeve të referencës, numri i zonave kadastrale në të gjithë vendin arrin 176. Aktualisht rrethet janë të ndara në 65 zona kadastrale. Edhe këto çmime janë rishikuar me rritje deri në 196%.
Grupi i punës që ka hartuar çmimet e referencës shpjegoi për Monitor se shumë zona rurale, kryesisht bregdetare do të ndahen në disa zona kadastrale. Kjo praktikë deri tani është përdorur vetëm për Tiranë e cila ndahet në 32 zona kadastrale.
U propozua në muajin korrik 2025 që edhe zonat urbane në rrethe të ndahen në disa zona kadastrale nga 65 numri i tyre arriti në 116.
Qeveria ka rishikuar projektvendimin e publikuar të Konsultimet Publike dhe propozon ndarje në disa zona kadastrale, edhe për fshatrat. Konkretisht vija e parë e disa fshatrave në zonat bregdetare do të ketë çmim reference shumë herë më të lartë se zona në brendësi të fshatit. Ndërsa në tërësi të gjitha fshatrave (përjashtuar atyre në zona turistike) propozohen çmime fiskale të barabarta me çmimet aktuale që janë në fuqi për rrethet.
Të gjitha ndryshimet me harta digjitale dhe tabela të përfunduara nga grupi i punës i janë dërguar për miratim Këshillit të Ministrave.
Çmimet e reja fiskale të rishikuara në muajin korrik 2025 për rrethet pritej të hynin në fuqi nga 1 janari 2026. Me rishikimet që i janë bërë së fundmi çmimeve të referencës qeveria pritet të miratojë një ndarje të re të tyre, tashmë një hartë me 176 zona kadastrale, duke përfshirë me vetë për herë të parë edhe fshatrat.









