Për vite me radhë, ZRrE e kishte përfshirë në tarifa ‘borxhin e keq’ të KESCO-s, përmes një metode “paushall” dhe pa një klasifikim të vjetërsisë së borxhit. Gjetjet dalin nga dy raporte të auditimit në të cilat Buletini Ekonomik ka siguruar qasje. Dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte zbatuar për vite të tëra metodë të gabuar për përcaktimin e “borxhit të keq” të KESCO-s, një kosto që u ngarkohet vit për vit konsumatorëve në tarifa. Përveç një vlerësimi ‘paushall’ dhe pa një klasifikim të vjetërsisë së borxhit, dy raporte të auditimit erdhen edhe të një gjetje e tretë, mjaft shqetësuese.
Edhe atëherë kur inkasimi i KESCO-s nga faturat ishte gati 100 për qind, vlerësimi për borxhin e keq mbeti i njëjti ndër vite, në nivelin 4% në raport me të hyrat vjetore të kompanisë. Kjo metodë u aplikua nga vitit 2011, koha kur ishte privatizuar edhe Rrjeti i Shpërndarjes.
Nga kjo praktikë që tashmë është kontestuar nga auditorët e shtetit, dyshohet se u shkaktua dëm dhjetëra miliona euro ndaj konsumatorëve të rrymës në Kosovë.
Njëri raport është i Zyrës Kombëtare të Auditimit i vitit 2019 dhe një tjetër i Kuvendit të Kosovës, në kuadër të një hetimi për sektorin e energjisë, në të cilin Buletini Ekonomik ka siguruar qasje.
Gjetjet nga të dy raportet çojnë të rezultate të njejta dhe mjaft shqetësuese.
Përveç kotestimit të metodologjisë, auditorët e shtetit dhe ekspertët e energjisë të angazhuar në këtë proces, madje ngrehin dyshime edhe nëse ka qenë fare e arsysheme që borxhi i KESCO-s të ngarkohet në tarifa. E para, sepse konsumatorët nuk duhet të paguajnë për një gjë që është në përgjegjësi ekskluzive të kompanisë, siç është arkëtimi i borxheve, dhe e dyta, kjo, sipas auditorëve, e rritë rrezikun që kompania të mos i arketojë borxhet me qëllim.
“Borxh i keq” quhen faturat që KESCO nuk ka arritur t’i arkëtojë nga konsumatorët që nuk kanë paguar. Në vend që ta mbulojë vetë këtë humbje, kompania e përfshin në çmimin e energjisë, që paguhet nga të gjithë.
Buletini Ekonomik kishte publikuar një hulumtim vitin e kaluar për këtë kategori. Një nga gjetjet edhe atëherë ishte se kjo barrë financiare po iu ngarkohet konsumatorëve pa një auditim të pavarur nga Rregullatori dhe mes shumë paqartësive ligjore. Disa nga deputetët e Kuvendit që dërguan komente në ZRrE gjatë shqyrtimit të tarifave për vitin 2025, ngritën disa dyshime për këtë kosto. Aty përmenden Ligji për Marrëdhëniet Detyrimore si dhe ai për Procedurën Përmbarimore, si dy mundësi që i ka KESCO për arkëtimin e borxhit të keq, para se këtë borxh t’ua ngarkojë në fatura qytetarëve.
Të njëjtat gjetje tashmë konfirmohen nga një raport i auditimit i Kuvendit të Kosovës, ku është audituar edhe borxhi i keq i KESCO-s, në kuadër të një hetimi për sektorin e energjisë i kryer në vitin 2022.
Mbi 130 milionë euro në emër të “borxhit të keq”, edhe pse niveli i arketimit nga KESCO rreth 100 %
Për periudhën 2013-2025, në emër të borxhit të keq të KESCO-s janë ngarkuar në tarifat e energjisë elektrike mbi 130 milionë euro. Sipas të dy raporteve të auditimit, kjo kishte ndodhur përkundër faktit se KESCO kishte pasur ndër vite nivel të lartë nga arketimi i faturave, një nivel rreth 99 për qind.
Në raportin e Kuvendit në të cilin Buletini Ekonomik ka siguruar qasje, janë marrë si mostra vitet 2016, 2017 dhe 2019. Në auditimin e pasqyrave financiare të KEDS, auditori gjeti se vetëm në vitin 2016, në emër të borxhit të keq u ngarkuan në tarifa rreth 10 milionë euro, ani pse në atë vit arkëtimi i KEDS nga faturat e konsumatorëve ishte në nivelin rreth 99 për qind. Njëjtë ishte edhe në vitin 2019; në tarifa u ngarkuan rreth 10 milionë euro, kurse arkëtimi i kompanisë ishte rreth 100 për qind.
Pas kësaj gjetje, Auditori i ishte drejtuar me pyetje ZRrE-së mbi meteodologjinë që e kishte përdorur, meqë kishte shpërputhje mes arkëtimit nga kompania dhe borxhit që u ngarkua në tarifa në vitet që ishin audituar.
Në fakt, shpërputhja doli se erdhi nga metodologjia që kishte zgjedhur ZRrE për përcaktimin e borxhit të keq të KESCO-s. Prej fillimit, borxhi i keq ishte vendosur ‘paushall’, përmes një përqindjeje të fiksuar prej 4% në raport me të hyrat e maksimale të lejuara për kompaninë në vitin paraprak.
“Bazuar në të dhënat nga PFV të audituara mundë të konkludojmë se niveli i arkëtimit të faturave aktuale nga KEDS është rreth 99%, ndërsa lejimet e borxheve të këqija në nivelin prej 4% mund të konsiderohet i lartë”, thuhet në raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar.
Në këtë raport, auditori, krahas arkëtimit të borxheve, në kuadër të pasqyrave financiare kishte audituar edhe llogaritë e arkëtueshme të kompanisë. Në kuptimin e pasqyrave financiare, te llogaritë e arketueshme futen borxhet e kompanisë. Në vitet që u audituan, bazuar në totalin e të hyrave të KEDS-it për periudhën 2016- 2018, Auditori erdhi në përfundim se totali i llogarive të arkëtueshme reprezentonte për vitin 2016 – 1.72%, për vitin 2017 – 4% dhe për vitin 2018 – 2.49%.
Duke e parë nivelin e ulët të borxhit të përgjithshëm të kompanisë, Auditori gjeti se ishte e paarsyeshme të zbatohej niveli prej 4% për borxhin e keq.
Bazuar në llogaritë e arketueshme, sipoas auditorit, borxhi i keq nuk do të duhej të ishte më shumë se 1% në raport me të hyrat vjetore maksimale të lejuara për kompaninë.
“Duke konsideruar nivelin e ultë të llogarive të arkëtueshme të KEDS-it ndryshimi i të cilit prej vitit në vit është prej rreth 1% apo edhe më ulët, konkludojmë se niveli i Lejimit të borxheve të këqija prej 4% është shumë i lartë i cili është ngarkesë shtesë për tarifat e konsumatorëve. Nga analizat e mësipërme konsiderojmë se niveli i arsyeshëm i borxhit të keq do duhej të ishte rreth 1% pas analizave të strukturës dhe natyrës së llogarive të arkëtueshme”, vlerëson Auditori.
Aprovimi i borxhit të keq “paushall”, pa klasifikim të vjetërsisë
Në raportin tjetër të auditimit, atë të Zyrës Kombëtare të Auditimit, me titull “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”, auditorët e shtetit shkuan edhe një hap më tutje.
Auditorët janë përpjekur të bëjnë ndarjen e borxheve sipas vjetërsisë apo kushteve tjera dhe të kuptojnë se si dhe kur klasifikohen borxhet, por, sic thuhet në raportin e ZKA, “në mungesë të shënimeve në ZRRE ka qenë e pamundur të bëhet ky klasifikim”.
“Aprovimet e borxheve të këqija për shërbimet e energjisë elektrike nuk është vërejtur të jetë vendosur duke bërë një klasifikim i vjetërsisë së borxheve dhe në principalin e llogaritur mund të jenë të përfshira edhe borxhe të vjetra. Deri te kjo ka ardhur në mungesë të analizave përkatëse të cilat do të përcaktonin drejt vjetërsinë e llogarive të arkëtueshme dhe argumentonin aktualitetin e borxhit të keq të aplikuar”, thuhet në raport.
Mosofrimi i dokumentacionit nga ZRrE, sipas ZKA, e vë në dyshim nëse tarifat janë duke u kalkuluar saktë dhe drejtë.
“Deri në momentin e auditimit, respektivisht takimi me ZRRE i datës 15/11/2019, rregullatori nuk e ka pasur të njohur vjetërsinë e borxheve të përdorura si bazë për përcaktimin e vlerës së borxhit të keq. Poashtu ZRRE deri me këtë datë nuk ka prezantuar kushte të vendosura që duhet plotësuar një borxh për t’u klasifikuar si borxh i keq (për qëllime tarifore)”, konstaton Auditori në raport.
Një gjetje tjetër e ZKA është mungesa e një rregullore për klasifikimin e llogarive të arkëtueshme dhe me fokus të veçantë për identifikimin e borxheve të kqija.
Aktualisht, ZRrE e përcakton nivelin e borxhit të keq të lejuar në bazë të Rregullores për Vendosjen e të Hyrave dhe Çmimeve për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), por që është e përgjithshme.
Kur janë pyetur për bazën ligjore, nga ZRrE thonë se niveli i borxhit të keq përcaktohet bazuar në nenin 16 të kësaj rregulloreje. Por, në këtë nen nuk specifikohet qartë kategoria e borxhit të keq. Aty përmenden kostot e lejuara operative dhe të mirëmbajtjes, kostot e korporatës, kostot e zhvlerësimit dhe “kosto tjera”.
Në një përgjigje për Buletini Ekonomik, nga ZRrE kanë pranuar se nuk ka një proces auditimi të pavarur për këtë kategori. ZRrE, sikurse për të gjitha kategoritë tjera të shpenzimeve të operatorëve të rregulluar, i merr si të mirëqena auditimet që i porosisin vetë operatorët.
“Metodologjia bazohet në: analizën e arkëtimeve historike të KESCO-s dhe aftësinë e saj për të inkasuar borxhet nga konsumatorët; pasqyrat financiare të audituara; vlerësimin e masave ligjore dhe rregullative që KESCO ka në dispozicion për mbledhjen e detyrimeve dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorëve që paguajnë rregullisht”, thuhet në përgjigjen e ZRrE.
Sipas ZRrE-së, mos-inkasimi nuk konsiderohet automatikisht borxh i keq, porse vetëm detyrimet që nuk mund të arkëtohen pas përpjekjeve ligjore e përmbarimore, trajtohen si të tilla.
Buletini Ekonomik ka adresuar në ZRrE një seri të dytë të pyetjeve që lidhen me atë se pse nuk janë adresuar rekomandimet e ZKA deri më tani. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjije.
“Borxhi i keq” sipas stadardeve të kontabilitetit dhe ekspertëve
Buletini Ekonomik ka analizuar legjislacionin vendor rreth borxhit të keq, si dhe ka konsultuar ekspertë dhe auditorë me përvojë në fushën e energjisë.
Sipas tyre, ngarkimi i borxhit të keq në tarifa të energjisë elektrike nuk është i drejtë dhe as i arsyetuar, sepse përfaqëson “transferim të pasojave të dështimit operacional të kompanisë te konsumatori”.
“Provizioni për humbje të pritshme kredie nuk përbën borxh të keq dhe as borxh të pambledhshëm, por vetëm një vlerësim kontabël të rrezikut, i cili sipas standardeve ndërkombëtare bazohet në përvojë historike dhe matrica provizionesh, me pritshmërinë që një pjesë e këtyre shumave të arkëtohen në periudhat pasuese”, ka thënë njëri nga ekspertët në kushte anonimiteti.
Për rrjedhojë, një borxh mund të konsiderohet i keq vetëm pasi të jenë shterruar të gjitha mjetet ligjore dhe operative për mbledhje, dhe jo thjesht për shkak të mosarkëtimit brenda një periudhe kontabël. Këtë fakt, auditorët e shtetit nuk kishin arritur ta vërtetonin në mungesë të dokumentacjonit në ZRrE.
Sipas parimeve të çregjistrimit të detyrimeve financiare, një detyrim hiqet nga pasqyra financiare vetëm kur është paguar, anuluar ose ka skaduar, ndërsa llogaritë e arkëtueshme klasifikohen si aktive afatshkurtra me pritje realizimi brenda 12 muajve. Prandaj, përfshirja e provizioneve në tarifa përbën jo vetëm devijim nga parimet kontabël dhe ligjore, por edhe penalizim të pajustifikuar të konsumatorëve për mungesën e efikasitetit të kompanisë në menaxhimin dhe arkëtimin e borxheve.
“Edhe nëse në bazë të kontratës parashihet në mënyrë decidive mbulimi i të gjitha kostove, baza për kalkulim mund të jenë vetëm borxhet e këqija reale të fshira nga librat pas shterimit të plotë të të gjitha mundësive ligjore dhe operative të arkëtimit, e kurrsesi provizionet kontabël që përfaqësojnë vetëm humbje të pritshme dhe jo humbje të realizuara”, ka sqaruar një ekspert tjetër me të cilin është konsultuar Buletini Ekonomik.
Sipas Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, kërkesat për furnizim me energji elektrike për nevoja shtëpiake parashkruhen pas një viti, por parashkrimi ndërpritet në rast të pranimit të borxhit nga debitori ose me paraqitje padie dhe veprime të tjera ligjore nga kreditori, çka do të thotë se ekzistojnë mekanizma ligjorë të qartë për arkëtim.









