Kërcënimi i Abdixhikut nxit reagime, zyrtari i LDK-së e kundërshton: Nuk e meriton të jesh kryetar

Procesi i rinumërimit të një pjese të votave i cili ka hedhur në pah fenomenin e tjetërsimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike, ka nxitur një tjetër debat në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ndodhet në prag të një kuvendi të jashtëzakonshëm.

Kryetari aktual Lumir Abdixhiku, i cili ka paraqitur dorëheqjen, ka kërcënuar me pasoja zyrtarët e partisë të cilët dyshohet të kenë tjetërsuar votat e kandidatëve të tjerë.

Abdixhiku ka thënë se të dyshuarit do të thirren para përgjegjësisë pas zhvillimeve në Kuvendin e LDK-së.

“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja”, ka deklaruar kryetari i LDK-së të dielën, ndërsa i është vënë në mbrojtje ish-deputetit të afërt me të, kryetarit të Forumit Rinor, Paris Gurit.

“Prandaj, pasoja do të ketë.  Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”.

Kërcënimi i Abdixhikut ka nxitur reagimin e një anëtari të moçëm të LDK-së, ish-kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe ish-kandidatit për kryetar në zgjedhjet e fundit lokale, Shaip Surdullit.

Surdulli e ka cilësuar Abdxihikun figurë përçarëse që bën diferencime brenda partisë.

“Pajtohem plotësisht që vota duhet mbrojtur edhe nga jasht edhe nga mbrenda subjektit politik dhe nuk duhet pasur kompromis ligjor e as partiak për keqpërdoruesit e votave, por shumë po ta zë për të madhe që ia ke humbur qëllimit dhe kuptimit duke i dalluar gjeneratat”, ka shkruar Surdulli në një postim në Facebook të dielën.

“Normalisht të gjithë jemi që t’i japim përparësi të rinjëve. Edhe ne për këtë arsyeje iu kemi votuar juve si i ri për ta udhëhequr LDK-në, por pa iu njohur. Ju jeni kryetar i të gjithëve, LDK nuk ka njerëz tepër me bërë diferencime, por fatkeqësisht kjo është logjika e juaj që nga fillimi i udhëheqjes së LDK-së”, ka thënë Surdulli.

Sipas Surdullit, Abdixhiku është duke llogaritur në përkrahje nga delegatët e Kuvendit të LDK-së që të shpëtojë në krye të partisë.

“Ju ndoshta mund të llogarisni te delegatët e kuvendit të LDK-së që janë me numra të caktuar që të shpëtoni por më vjen keq që nuk e meriton me udhëhequr LDK-në, sepse LDK duhet të ketë një kryetar më unifikues dhe që e rrit subjektin e jo sikur ju”, ka deklaruar ai.