Shala: Në fillim të viteve ‘90 gabimi më i madh ishte mungesa e organizimit diplomatik

Shkrimtari dhe aktivisti Blerim Shala ka deklaruar se gjatë viteve 1991–1992, Kosova objektivisht kishte shumë pak mundësi për të vepruar ndryshe, por gabimi më i madh i asaj kohe ishte mungesa e organizimit më të mirë politik dhe diplomatik në arenën ndërkombëtare.

Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka thënë se, ndonëse janë bërë përpjekje serioze, ka pasur edhe gabime, dështime dhe lëshime, sidomos në aspektin e përfaqësimit diplomatik.

Sipas tij, duke qenë se synimi kryesor i politikës së Kosovës ishte sigurimi i mbështetjes së faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të ishte dashur të hapej një zyrë përfaqësuese e Kosovës në SHBA qysh në atë periudhë.

“Ne kemi pasur telashe edhe në Tiranë, e jo më në Washington. Ka qarkulluar shumë emra për përfaqësues, por në fund ka munguar vullneti politik”, ka theksuar Shala, duke shtuar se edhe pala amerikane kishte dhënë sinjale se një përfaqësi e tillë nuk do të paragjykonte statusin e Kosovës.
Ai theksoi se Gjermania kishte bërë një sakrificë të madhe duke lejuar funksionimin e Qeverisë së Kosovës në ekzil, në një kohë kur kishte ende marrëdhënie relativisht normale me Jugosllavinë. Shala kujtoi gjithashtu se kontributi i njohur si “tre përqindëshi” i diasporës në Gjermani ishte lehtësuar nga vetë shteti gjerman, duke e përjashtuar atë nga baza tatimore.

Sipas Shalës, Kosova kishte mundësi të hapte zyra përfaqësuese edhe në vende të tjera mike si Italia apo Mbretëria e Bashkuar, si dhe të angazhohej më fuqishëm në konferenca ndërkombëtare, ku tashmë kishte nisur të marrë pjesë.

Nga ana tjetër, Surroi theksoi se pavarësisht mospajtimeve të brendshme, politike dhe personale, udhëheqja e asaj kohe kishte arritur të ruante një nivel të lartë uniteti politik, duke mos i nxjerrë konfliktet jashtë.

“Në atë periudhë kemi bërë maksimumin për të ruajtur unitetin dhe për të arritur aty ku arritëm në fund të vitit 1992, me ‘Kërcënimin e Kërshëndellave’”, shtoi Surroi.