Rinumërim i mundshëm i votave në gjithë Kosovën, KQZ jep detaje

Të gjitha qytetet e Kosovës mund të hyjnë në një proces rinumërimi të votave për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Rinumërimi i votave ka sjellë ndryshime të rëndësishme, disa kandidatë të partive kryesore kanë përfituar ose humbur vota. Prizreni shfaq ndryshimet më të mëdha, duke ngritur shqetësime për keqnumërim.

Pas rinumërimit të votave në disa komuna, ka pasur ndryshime të dukshme te kandidatët, por jo te partitë. Mospërputhjet më të mëdha janë regjistruar te tre partitë kryesore, sidomos në Prizren.

A do të ketë rinumërim në tërë vendin?

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi deklaron për KosovaPress se varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera.

“Aktualisht, KQZ nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër”, tha ai për KosovaPress.

Sipas vendimit të KQZ-së, i datës 13 janar 2026, rinumërimi i plotë do të përfshijë 10 komuna, ndërkaq në 28 të tjera do të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre.

Prokuroria Themelore në Prizren, bën të ditur se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.

Sipas njoftimit, tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit, raporton KosovaPress.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

“Nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tash janë rinumëruar rreth 56% apo 509 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave, Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (4/72)”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë gjatë ditës së sotme do të përfundojë në komunën e Prizrenit dhe më pas, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces.