Quni për manipulimin me vota: “Jam viktimë e një operacioni kriminal”

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Anton Quni, ka reaguar pas raportimeve për parregullsi në Qendrën e Numërimit të Votave në Prizren, duke deklaruar se rritja e votave në emrin e tij është bërë “pa dijeni dhe pa vullnetin” e tij.

Në një deklaratë për media, Quni tha se nuk ka kërkuar, nxitur apo asistuar në asnjë formë në manipulimin e votave dhe e cilësoi procesin që ka prekur emrin e tij si “operacion kriminal” që ka cenuar personalitetin dhe karrierën e tij politike.

“Ky manipulim nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore,” u shpreh Quni, duke shtuar se përfshirja e emrit të tij në këtë skemë i ka shkaktuar dëm të rëndë dinjitetit dhe besimit të ndërtuar ndër vite.

Ai kërkoi që institucionet e drejtësisë të zbardhin motivet dhe autorët e këtij veprimi, duke ngritur dy pyetje kyçe:
Pse u zgjodh emri i tij? dhe kush qëndron pas urdhrave dhe manipulimit në Qendrën e Numërimit?

Quni u kërkoi falje publike të gjithë kandidatëve që mund t’u jenë tjetërsuar votat në favor të tij, duke theksuar se gara politike duhet të jetë e drejtë dhe se çdo votë duhet t’i takojë atij që e ka fituar me meritë.

Ai deklaroi gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet kompetente për zbardhjen e rastit.

“E vërteta është mbrojtja ime e vetme,” përfundoi Quni.