Presidenti amerikan, Donald Trump ka përshkallëziar përpjekjen e tij për të marrë nën kontroll territorin danez, duke shënjestruar Danimarkën dhe shtatë vende të tjera evropiane me tarifa prej 10 për qind.
Presidenti Trump në një postim në rrjetet sociale mëngjesin e së shtunës strategjinë e tij të fundit për të marrë kontrollin e Grenlandës. Trump po vendos tarifa të reja ndaj një blloku kombesh evropiane derisa ato të ulen në tryezën e bisedimeve për të shitur Grenlandën.
Grenlanda është territor i Danimarkës, e cila do të goditet me një tarifë prej 10 për qind mbi të gjitha mallrat e dërguara në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga 1 shkurti, shkroi zoti Trump në një postim në rrjetet sociale.
Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania, Holanda dhe Finlanda, vende anëtare të NATO-s që kanë shprehur solidaritet me Danimarkën në refuzimin e saj për t’iu dorëzuar kërkesave të zotit Trump, do t’i nënshtrohen gjithashtu tarifës prej 10 për qind. Nëse këto kombe nuk dorëzohen, shtoi ai, norma do të rritet në 25 për qind më 1 qershor, “deri në momentin kur të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës”.
Liderët e Evropës reaguan të shtunën me indinjatë të unifikuar ndaj detyrimeve të fundit të zotit Trump mbi ishullin masiv në Atlantikun e Veriut. Po ashtu, siç shkruan The New York Times, reaguan edhe ligjvënësit në Uashington, duke përfshirë disa anëtarë të vetë partisë së presidentit. Madje, sipas Times, njoftimi i papritur i tarifave të reja dukej se hidhte dyshime serioze mbi një marrëveshje tregtare që zoti Trump kishte arritur me Bashkimin Evropian.
Në postimin e tij, zoti Trump ka argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhej të kontrollonin Grenlandën si një mburojë kundër ambicieve kineze dhe ruse në Arktik, megjithëse, sipas NYT, Shtetet e Bashkuara kanë tashmë të drejtën të zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Grenlandë sipas një marrëveshjeje të vitit 1951 me Danimarkën.
Shtetet e Bashkuara aktualisht aplikojnë një tarifë prej 10 për qind mbi importet britanike dhe një tarifë prej 15 për qind mbi importet nga Bashkimi Evropian, pasi arritën marrëveshje tregtare të kufizuara me të dyja qeveritë vitin e kaluar. Tarifat e reja supozohet se do të vendoseshin mbi to, dhe mbetet për t’u parë se si do të përgjigjeshin partnerët e tjerë tregtarë. Tarifat paguhen nga importuesit, jo nga vendi i origjinës së produkteve, ku kostot shpesh u kalojnë konsumatorëve amerikanë.
“Ne kemi subvencionuar Danimarkën dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të tjerët, për shumë vite duke mos u ngarkuar atyre tarifa, apo ndonjë formë tjetër shpërblimi,” shkroi Trump dje. “Tani, pas shekujsh, është koha që Danimarka të kthejë mbrapsht — Paqja Botërore është në rrezik!”
Postimi dhe kërcënimi i tij për tarifa të reja ishin një përshkallëzim i dukshëm në fushatën e presionit të zotit Trump dhe udhëheqësit evropianë reaguan shpejt të shtunën.
Presidenti Emmanuel Macron i Francës shkroi në rrjetet sociale: “Asnjë frikësim apo kërcënim nuk do të na ndikojë — as në Ukrainë, as në Grenlandë, as diku tjetër në botë kur jemi përballë situatave të tilla.” Ai shtoi se “kërcënimet me tarifa janë të papranueshme” dhe se “evropianët do të përgjigjen në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar nëse ato konfirmohen. Ne do të sigurohemi që sovraniteti evropian të respektohet.”
Kryeministri suedez ndërhyni me një reagim të furishëm, duke thënë: “Ne nuk do të lejojmë të shantazhohemi. Danimarka dhe Grenlanda vetë vendosin për pyetjet që prekin Danimarkën dhe Grenlandën.”
Kryeministri Keir Starmer i Britanisë tha në një deklaratë se “zbatimi i tarifave ndaj aleatëve për ndjekjen e sigurisë kolektive të aleatëve të NATO-s është plotësisht i gabuar,” duke shtuar, “Ne natyrisht do ta ndjekim këtë drejtpërdrejt me administratën amerikane.”
Udhëheqësit e partive kryesore opozitare të Britanisë ishin unanimë në dënimin e njoftimit të së shtunës. Udhëheqësja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, tha se zoti Trump kishte “plotësisht gabim” dhe se tarifat ishin një “ide e tmerrshme” si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Britaninë.










