Një kanal në Telegram, i lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, ka kërcënuar forcat amerikane në Katar.

Kanali pretendon se ka identifikuar hotelin në Doha ku janë zhvendosur komandantët dhe oficerët e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, pas evakuimit të bazës Al-Udeid.

“Zhvendosja e ngathët e komandantëve dhe oficerëve të Komandës Qendrore të SHBA-së nga baza Al-Udeid në Hotelin Sheraton në Doha, dhe transferimi i dhomës së operacioneve të sabotimit në këtë hotel, nuk do t’i mbrojë ata në asnjë mënyrë nga një përgjigje vendimtare dhe e fuqishme e Forcave të Armatosura të Republikës Islamike të Iranit, në rast të ndonjë agresioni kundër territorit iranian,” thuhet në deklaratën e kanalit Sepah Pasdaran.

Kanalit iu bashkëngjit edhe një fotografi dhe mbishkrim të publikuar nga një tjetër kanal i quajtur “Operations Center Media”.

Ky incident shton tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit, teksa marrëdhëniet tashmë të tensionuara mbeten të ndjeshme në rajon.

Ndryshe, SHBA-ja ka përkrahur protestat e qytetarëve iranianë që shpërthyen si pasojë e shkaqeve ekonomike. /Telegrafi/