Një qytetare është ankuar në Facebook për mungesën e ujit në lagjen “Arbëria” të Prishtinës.
Ajo ka pohuar se po kanë ujë vetëm nga një orë në ditë, dhe me shtypje të dobët.
“Dy javë pa ujë në Arbëri, përballë Ambasadës Amerikane. Uji vjen veç 1 orë në ditë, me një rrjedhë që as rezerva s’po na mundëson me siguru”, ëstë ankuar një qytetare në Facebook.
“Asnjë autobot prej KRU Prishtinës. Çdo ditë , që 2 javë e njëjta fjali ‘sot besojmë rregullohet’”.
Në anën tjetër, nga KRU “Prishtina” i kanë thënë Klankosova.tv se ky problem vjen si pasojë e turbullirave të shtuara në burimin e ujit dhe se situata pritet të sanohet së shpejti.
“Aktualisht po përballemi me mungesë në furnizimin me ujë të pijshëm aty, pasi nuk po arrijmë të realizojmë furnizim të rregullt dhe të vazhdueshëm”, ka thënë për Klankosova.tv, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.
“Kjo situatë është krijuar si pasojë e turbullirave të shtuara në burimin e ujit, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e trajtimit, si dhe për shkak të kapacitetit të zvogëluar të impiantit të trajtimit. Për rrjedhojë, sasia e ujit të trajtuar dhe e shpërndarë është më e ulët se nevojat reale të konsumatorëve”.
“Ekipet tona janë duke punuar për stabilizimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit normal sa më shpejt të jetë e mundur. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe i ftojmë të përdorin ujin në mënyrë të kursyer deri në përmirësimin e situatës. Situata pritet të stabilizohet shpejt”.









