Ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Timoshenko, deklaroi gjatë seancës gjyqësore para Gjykatës së Lartë Antikorrupsion të Ukrainës se Ukraina ndodhet nën një “regjim fashist”, duke mohuar njëkohësisht akuzat e ngritura ndaj saj.

Gjykata e Lartë Antikorrupsion e Ukrainës ka caktuar masa ndaj ish-kryeministres dhe lideres së partisë Batkivshchina, Yulia Timoshenko, e cila u arrestua së fundmi në një aksion të Byrosë Kombëtare Antikorrupsion të Ukrainës (NABU), nën dyshimin për korrupsion të rëndë.

Gjykata vendosi që Timoshenko të lirohet me kusht kundrejt një garancie financiare prej 33 milionë hryvnia, apo rreth 655 mijë euro.

Sipas pretendimeve të NABU-s dhe Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, Timoshenko dyshohet se u ka ofruar ryshfet disa deputetëve të Radës së Lartë nga fraksione të tjera politike, me qëllim që të votonin pro ose kundër disa propozimeve ligjore.

Në njoftimin e NABU-s thuhet se bëhet fjalë për një lidere të një fraksioni parlamentar që ka tentuar të ndikojë në procesin ligjvënës përmes “përfitimeve të paligjshme”. Nëse fajësia i vërtetohet, ajo rrezikon dënim me burg nga pesë deri në dhjetë vjet, si dhe konfiskim të mundshëm të pasurisë.

Përveç garancisë financiare, gjykata i ka shqiptuar Timoshenkos edhe masa shtesë: i ndalohet largimi nga rajoni i Kievit pa leje të hetuesve, është e detyruar të mbajë byzylyk elektronik, të dorëzojë pasaportën, si dhe i ndalohet komunikimi me disa dhjetëra deputetë.

Ish-kryeministrja u paraqit e shoqëruar nga avokatët e saj dhe përfaqësues të prokurorisë.

Para fillimit të seancës, Timoshenko hodhi poshtë të gjitha akuzat, duke pretenduar se “nuk është kryer asnjë vepër penale” dhe se nuk ekzistojnë baza ligjore për vendosjen e çfarëdo mase ndaj saj.

Në deklaratën për gazetarët, ajo shkoi edhe më tej, duke thënë se Ukraina, sipas saj, ndodhet nën një “regjim fashist”, duke përsëritur kështu narrativën që Moska përdor për të delegjitimuar presidentin Volodymyr Zelensky dhe pushtetin aktual.

Timoshenko theksoi se nuk planifikon të largohet nga Ukraina derisa, siç u shpreh, të çlirohet nga “banda që ka marrë pushtetin”. Ajo shtoi gjithashtu se hetuesit kishin hyrë më herët në shtëpinë e saj gjatë natës pa urdhër gjykate, pas së cilës ishte kontrolluar edhe selia e partisë së saj.

“Ky është viti 1937”, deklaroi Timoshenko, duke iu referuar përndjekjeve politike staliniste.

Ish-kryeministrja i mohon plotësisht akuzat, ndërsa disa deputetë të opozitës pretendojnë se ekzistojnë incizime audio komprometuese. Deputeti i Solidaritetit Evropian, Oleksiy Honcharenko, deklaroi se një nga parlamentarët, të cilit dyshohet se i ishte ofruar ryshfet, kishte incizuar fshehurazi bisedat dhe materialin ia kishte dorëzuar NABU-s dhe Prokurorisë Speciale Antikorrupsion. /Telegrafi/