Ramón Calderón ka kritikuar ashpër presidencializmin e Real Madridit, duke thënë se Florentino Pérez vendos për gjithçka, pavarësisht hallkave të klubit. Sipas ish-presidentit (2005–2009), edhe shkarkimi i trajnerit bask ishte vendim i drejtpërdrejtë i presidentit, të cilin e akuzon për protagonizëm të tepruar.
Calderón beson se finalja e Superkupës së Spanjës, e fituar nga Barcelona, mund të kishte përfunduar ndryshe për Realin dhe, rrjedhimisht, edhe për fatin e Alonso: “Mund të barazonin ose edhe të fitonin lehtësisht. Paraqitja nuk ishte e keqe, – tha për “Stats Perform”, duke shtuar: – Megjithatë, në fund duket se ishte vendim i presidentit që ta shkarkonte trajnerin Alonso”.
Ai sulmoi ndërhyrjen e Pérez: “Nuk ka drejtor sportiv dhe asnjë strukturë të vërtetë këshillimi sportiv apo futbollistik te Real Madridi. Prandaj presidenti merr vendimet dhe i ndryshon sipas dëshirës së tij, duke e zhvendosur theksin e problemeve më shumë te trajneri sesa te lojtarët”.
Sipas Calderón, planifikimi i skuadrës nuk ishte optimal, veçanërisht në mesfushë, pas largimeve të Luka Modrić dhe Toni Kroos: “Unë do ta pyesja drejtorin sportiv (atëherë Pedja Mijatović), sepse ai dhe ekipi i tij ishin përgjegjës për vendimet sportive. Janë ata që e dinë si funksionojnë gjërat”.
The post Calderón sulmon ashpër Pérez për ndërhyrjet: E drejton klubin sipas tekave të tij… appeared first on Telesport.










