Janë bërë publike emrat e personave që do të jenë pjesë e Komitetit Kombëtar për menaxhimin e Gazës, i formuar me propozim të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ekipi do të udhëhiqet nga Ali Shaath, ndërsa anëtarë të tij janë: Abdul Karim Ashour, Jaber Al-Daour, Bashir Al-Rais, Ali Barhoum, Aed Yaghi, Osama Al-Saadawi, Sami Nasman, Mohammad Bseiso, Arabi Abu Shaaban, Hana Tarzi, Rami Halas, Omar Shamali, Ayed Abu Ramadan dhe Husni Al-Mughni.

Secili prej tyre do të jetë përgjegjës për një sektor të veçantë, që përfshin fusha nga financat deri te arsimi, raporton reuters.

Përveç këtij ekipi, Trump ka emëruar edhe trupa këshillimore që do të veprojnë në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar për menaxhimin e Gazës, ku do të përfshihen emra të njohur të politikës ndërkombëtare.

Ndër ta janë ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, si dhe të dërguarit e Trump-it, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Bordi do të përfshijë gjithashtu drejtuesin e fondeve private dhe miliarderin Marc Rowan, presidentin e Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe Robert Gabriel, këshilltar i Trump-it, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Nickolay Mladenov, ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, do të jetë përfaqësuesi i lartë për Gazën.

Gjeneralmajori i ushtrisë Jasper Jeffers, komandant i operacioneve speciale të SHBA-së, është emëruar komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në mes të nëntorit, autorizoi bordin dhe vendet që bashkëpunojnë me të të krijojnë këtë forcë në Gaza.

Me emërimin e këtyre strukturave ka nisur zyrtarisht zbatimi i fazës së dytë të armëpushimit në Gaza, gjatë së cilës synohet vendosja e një administrate në këtë territor palestinez pa përfshirjen e Hamasit.

Faza e parë e armëpushimit zgjati tre muaj, gjatë së cilës Izraeli e shkeli marrëveshjen disa herë dhe si pasojë u vranë qindra civilë palestinezë.

Ndryshe, sulmet izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, ka krijuar një krizë urie dhe ka zhvendosur brenda territorit të gjithë popullsinë e Gazës. Shumë ekspertë të të drejtave të njeriut, studiues dhe një hetim i OKB-së vlerësojnë se kjo përbën gjenocid.

Izraeli ka deklaruar se ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi militantë të udhëhequr nga Hamasi vranë 1200 persona dhe morën më shumë se 250 pengje gjatë një sulmi në fund të vitit 2023. /Telegrafi/