Barcelona / Seria që e “barazon” trajnerin Flick me Guardiolën dhe Luis Enrique

Nuk ishte e lehtë të fitohej në Santander, siç pritej. Kryesuesi i “Segunda Division” e vuri në vështirësi Barcelonën; madje shënoi dy gola që u anuluan për pozicion jashtë loje. Pati edhe një rast shumë të pastër në minutat shtesë, por golat e Ferran dhe Yamal vulosën epërsinë e ekipit blaugrana. Tashmë e kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Mbretit, Barça regjistroi në Santander një tjetër shifër për t’u mbajtur mend.

Me 2-0 në “El Sardinero”, ekipi i Flick ka arritur 11 fitore radhazi. Kjo është seria më e mirë e trajnerit gjerman në krye të Barcelonës. Kjo shifër e barazon Flick me dy trajnerë që bënë histori te Barça; Pep Guardiola (2009) dhe Luis Enrique (2015), të dy fitues të “tripletës” sezonale dhe që patën gjithashtu 11 fitore radhazi, përpara se të triumfonin në Champions League.

Seria më e gjatë në historinë e fundit mbetet ajo e Frank Rijkaard; 18 fitore zyrtare radhazi në sezonin 2005–2006, mes tetorit dhe janarit, të cilave iu shtuan edhe dy të tjera jozyrtare.

The post Barcelona / Seria që e “barazon” trajnerin Flick me Guardiolën dhe Luis Enrique appeared first on Telesport.