Disa nxënës të shkollës “Gjelbër” në kryeqytet këtë të premte nuk dolën fare në shkolë. Siç thanë prindërit, shkak janë temperaturat e ulta në klasa. Drejtori i shkollës thotë se ngrohja është funksionale, mirëpo ajo nuk po mjafton për shkak të një problemi me dritaret.
Radiatorët nuk po ngrohin mjaftueshëm.
Prandaj, nënjë klasë është dashur të vendoset edhe një klimë.
Ky investim u bë nga disa prindër në shkollën “Gjelbër” në Prishtinë, ku mësimin e ndjekin nxënësit nga klasa e gjashtë e deri në të nëntën.
Drejtori i shkollës, thotë se problem qëndron tek dritaret, të cilat duhet të ndërrohen.
“Nxehmje ka, shtëpijaku gjatë 24 orëve e monitoron, është në gjendje të rregullt, por që objekti vetë, konstruksioni i objektit i ka disa të meta që na kanë sjell telashe, përshkak të ftoftit që mbretëroi këto ditë, por që ne po e japim maksimumin. Disa prind me vetë financim kanë sjell klima që t’i krijojmë nxënësve kushte sa më të mira, por problem më i madh është objekti që po krijon telashe të mëdha”, deklaroi drejtori i kësaj shkolle, Besart Ismajli.
Ndërkohë, disa prindër këtë të premte vendosën që të mos i sjellin fëmijët e tyre në shkollë.
Siç thanë prapa kamerave për Tëvë1, si shkak i të ftohtit në shkollë, fëmijët janë sëmurë.
Drejtori pranon se ka pasur ankesa nga ana e prindërve, por sipas tij, ato asnjëherë nuk janë bërë në mënyrë zyrtare.
“Ankesa ka nga ana e prindërve, por asgjë me letër, asgjë zyrtare. Kështu që ne në takimet e përditshme që i kemi me prindër e shprehin atë shqetësimin të cilën e kanë, por që nuk ka marr masa. Për veç disa prindërve të cilët me vetë iniciativë nuk i kanë sjell sot fëmijët në shkollë. Nuk është numër i madh, janë diku 10-15 nxënës të cilët nuk kanë ardh sot në procesin mësimor”, tha ai.
Nga Drejtoria e Arsimit në kryeqytet, thonë se në buxhetin e këtij viti është paraparë ndërrimi i dritareve në kësaj shkolle.
“Ngrohja në këtë shkollë është funksionale gjatë gjithë kohës. Problemi qëndron te humbja e ngrohjes për shkak të dritareve të dobëta, të cilat veqse i kemi të planifikuara për nderrim në buxhetin e këtij viti. Kemi derguar zyrtarë të komunës për vleresim, dhe gjendja nuk është ashtu si pretendojnë disa prinder. Me rregullimin e dritareve do të rregullohet ky problem një here e mire”, deklaroi drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini.
Pos dritareve, drejtori i shkollës “Gjelbër”, thotë se objekti ka problem edhe me konstruksionin si dhe me izolimin, pasi temperature nuk është e njëjtë nga klasa në klasë.
Kronikë e realizuar nga gazetarja, Adea Mustafaj.










