Megjithëse ka shumë raportime për një ‘marrëveshje’ në mes të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për mbështetjen e kësaj të fundit në rikandidimin e postit të Presidentes, deklarimet publike të deritashme, nënkuptojnë të kundërtën. Dhe ato vinë nga të gjitha partitë që përbajnë koalicionin e Lëvizjes Vetëvendosje, përveç Zef Morinës. Ja cilat janë ato, deri tani…
I pari është ai i kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të VV-së, Albin Kurit, i cili në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosovapress, në fillim të muajit, nënkuptoi pasigurinë për rizgjedhjen e Osmanit në postin e Presidentes, pasi siç thotë ai ‘nuk i kanë 80 vota’.
Për Kurtin, pavarësisht që po afrohet shumë data strikte e 4 marsit, kur i ‘skadon’ mandate Presidentes, ai thotë se janë disa hapa të tjerë që duhet të ndiqen deri në atë ditë.
“Tash ne e kemi parë deklarimin e Presidentes. Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe Qeverinë, duhet ta votojmë buxhetin. Janë tre hapa para se të vimë të rizgjedhja e Presidentes.
Besoj se pas këtyre hapave do të shohim se cilat janë gjasat përpara. Po ashtu duhet të ulemi me Presidenten dhe të diskutojmë. 80 veta në sallë është vështirësi e kosndierueshme” – deklaronte Kurti për Agjencinë KosovaPress dhe shtonte:
“80 vota nuk i kemi”.
I dyti, është Nezir Kraki, deputeti i partisë së dytë më të madhe të koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje, Listës Guxo.
Ai nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse qëndrimi i partisë ku ai përket, është vota pro Osmanit ose jo.
“Nuk është momenti me qitë kerrin para kieve. Kam vlerësim maksimal për Vjosa Osmanin. Nuk mund të flas tash për pozicionin e Albin Kurtit dhe Donika Gërvallës. Nuk kemi kandidat na Guxo për President.
Janë diskutime që duhet me u zhvillu. Pse me thënë unë që kemi kandisat. Ende unk janë ceritifiku votat” – deklaron deputeti Kraki në emisionin DebatPlus para pak ditësh.
I treti, është qëndrimi i njëjtë me dy të parët, që vjen nga kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari- Lila, një partnere tjetër koalicioni e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një intervistë për RKT-në, Kusari-Lila është shprehur se ‘duhet të ketë diskutime me të gjitha partitë për postin e Presidentit’.
“Jam e bindun që duhet të ketë diskutim të përbashkët. Ajo që partitë politike deklarojnë kur pyeten për presidenten Osmani ose emra të tjerë, mund të japin deklarime që nuk janë konfirmime të partisë.
Njëjtë edhe unë sot nuk mund të them se a do të ketë edhe një emër tjetër përvec zonjës Osmani sepse duhet konfirmim edhe ngaVV si partneri më i madh i koalicionit tonë për mbështetje të rikandidimit potencial të saj (Osmanit) si dhe diskutimi se çka nëse nuk mund të arrihen 80 vota”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari –Lila, ka thënë se deri tani, e vetmja kandidaturë zyrtare për postin e Presidentit, është ajo e zonjës Vjosa Osmani. Por, ajo flet si z.Kurti dhe z.Kraki duke thënë se ende nuk kanë ardhë te ky hap.
“Nuk kemi ardhë në pikën ku ka propozim të dytë për President. Është vetëm kandidimi i zonjës Osmani.
Si temë, ende nuk është hapë sepse nuk është hapë ende as tema e dikasterëve qeveritarë për Kurti III me mandat të qartë. Sa i përket mbështetjes së zonjës Osmani nga LDK, është pozicion ose qartësim që duhet të vijë nga ata vetë” – thotë Kusari – Lila.
Mesazhet e ambasadorëve ku kërkojnë stabilitet
Derisa partitë opozitare, ende nuk kanë një qëndrim zyrtar rreth postit të Presidentit – duke qenë që nëpër to po ndodhin disa zhvillime pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, janë dy opinione të shkruara nga ambasadorë evropianë në vendin tonë, si vetë ambasadori i BE-së, Aivo Orav, ku kërkohet ‘stabilitet politik në vitin 2026”.
“Besoj se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të mundësojnë konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e një qeverie stabile. Kosova nuk e ka luksin një viti tjetër të stagnimit”, shkruan ambasadori Orav, në opinionin e publikuar në ‘Koha” me titull “S’ka më kohë për të humbur: 2026-a të sjellë institucione funksionale e progres.
Shumë më i drejtpërdrejtë se ambasadori Orav, ishte ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z.Jonathan Hargreaves, i cili në opinionin me titull “Dhjetë dëshirat e mia për vitin 2026” – i publikuar po ashtu në Koha, foli kështu:
“Qeveri vendimtare dhe stabile. Tani që kanë përfunduar zgjedhjet, Kosovës i nevojiten urgjentisht një Kuvend dhe një Qeveri sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe të zgjedhë një president/e pa pasur nevojë edhe për një palë zgjedhje të tjera. Politikanët duhet të kapërcejnë mosbesimet e ndërsjella dhe të përshtatin ambiciet e tyre personale”./Foto kryesore: FB/ Vjosa Osmani/Nacionale/










