Rinumërohen 216 vendvotime, në 15 komuna përmbyllet procesi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave.

Sipas njoftimit, deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 216 vendvotime nga 914 vendvotime.

Komunat në të cilat ka përfunduar ky proces janë Deçani ku kanë qenë në rinumërim pesë vendvotime, Gjakova me 15, Drenasi me shtatë, Gjilani me 13, Dragashi me 57, Istogu me gjashtë, Kaçaniku me 45, Klina me gjashtë, Fushë Kosova me gjashtë, Kamenica me pesë, Mitrovica e Jugut me dhjetë, Leposaviqi me 25, Lipjani me nëntë, Novëbërda me dy dhe Obiliqi me tri.

Rinumërimi ka nisur edhe për Rahovecin dhe Pejën. Në Rahovec është rinumëruar një vendvotim nga tetë për të cilat ka vendim, derisa në Pejë një nga 14.

“Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 15 komuna, ndërkohë gjatë ditës, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces. Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi”, theksohet në njoftimin e KQZ’së.

Rinumërimi ka filluar të martën, teksa KQZ ka paralajmëruar se procesi mund të marrë deri në 14 ditë kohë.

Vendimi për rinumërim erdhi pas gjetjeve nga procesi i verifikimit të votave të kandidatëve.

Sipas raportit, më 10 janar 2026 Sekretariati i KQZ-së ka shqyrtuar videoincizimet e kamerave të vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku janë evidentuar raste të mospërputhjes së votave për kandidatë. Pas këtyre gjetjeve, Sekretariati ka kryer verifikim të brendshëm të fletëvotimeve në 2 për qind të vendvotimeve, përkatësisht në 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.

Deri më 12 janar 2026 janë verifikuar 33 vendvotime, ku është konstatuar se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhen me numrin e votave të evidentuara në fletëvotime.