Raporti i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kostot e lejuara të blerjes së energjisë elektrike dëshmon qartë se viti 2024 ka qenë viti me barrën më të rëndë financiare për sistemin energjetik të Kosovës, duke shënuar rritjen më të lartë të kostos krahasuar me vitet paraprake, shkruan Demokracia.com.
Sipas të dhënave zyrtare, që i ka parë Demokracia.com, në vitin 2013 kostoja totale e blerjes së energjisë elektrike ka arritur në rreth 164.7 milionë euro. Në atë vit, importet kanë qenë të larta, me rreth 505 GWh energji të importuar, me çmim mesatar prej 70 €/MWh, çka ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e faturës totale të furnizimit.
Në vitin 2014, vërehet një rënie e ndjeshme e kostos. Totali i shpenzimeve për blerjen e energjisë ka zbritur në rreth 142.3 milionë euro, apo mbi 22 milionë euro më pak se në vitin 2013. Kjo ulje lidhet kryesisht me importe më të lira rreth 450 GWh me çmim mesatar 60 €/MWh si dhe me një furnizim më të qëndrueshëm nga prodhimi vendor.
Megjithatë, situata ndryshon ndjeshëm në vitin 2024, i cili sipas ZRRE-së shënon kulmin e kostos së blerjes së energjisë. Vetëm nga KEK-u janë furnizuar mbi 4,210 GWh, me çmim mesatar 29.5 €/MWh, por kjo sasi nuk ka mjaftuar për të mbuluar kërkesën totale. Sistemi është detyruar të mbështetet edhe në burime të tjera dhe importe, duke rritur ndjeshëm koston përfundimtare.
Sipas përllogaritjeve të raportit, kostoja totale e blerjes së energjisë në vitin 2024 kalon pragun e 200 milionë eurove, duke e bërë 2024 vitin më të shtrenjtë të regjistruar në raportin krahasues të ZRRE-së. Ky nivel i lartë i shpenzimeve nuk është shoqëruar me mekanizma të mjaftueshëm amortizues, si subvencione efektive apo ulje të varësisë nga importi.
ZRRE evidenton se, ndryshe nga vitet 2013 dhe 2014, ku kostoja është menaxhuar përmes importeve më të favorshme ose prodhimit më stabil, viti 2024 karakterizohet nga presioni i vazhdueshëm financiar, i shkaktuar nga çmimet e tregut, mungesa e kapaciteteve rezervë dhe planifikimi i kufizuar afatgjatë.
Këto shifra janë shqetësuese per qëndrueshmërinë e sistemit energjetik dhe pasojat që kjo barrë financiare mund të ketë për konsumatorët. Rritja e kostos së blerjes së energjisë në vitin 2024 pritet të reflektohet drejtpërdrejt në tarifat e energjisë elektrike, duke e rënduar më tej buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve.
Deri sa për vitin 2025 ende nuk ka të dhëna të publikuara, raporti i ZRRE-së për vitin 2024 shërben si paralajmërim i qartë se, se pa investime strukturore dhe ulje të varësisë nga importi, kostoja e energjisë në Kosovë rrezikon të mbetet e lartë edhe në vitet që vijnë. /Demokracia.com/










