Policia has në mbi 350 automjete të paregjistruara vetëm në dy javët e para të janarit

Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm brenda dy jave, ka hasur 353 automjete të paregjistruara vetëm në rajonin e Prishtinës, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Sezoni Dimëror”.

Sipas Policisë, kjo paraqet problem serioz për sigurinë në trafik, meqë këto automjete qarkullojnë nëpër rrugë pa kontrollim teknik.

Përgjatë kësaj periudhe, Policia ka bërë me dije se ka shqiptuar 1 mijë e 883 gjoba për kundërbajtje.

Mbi 1 mijë prej tyre janë për mosrespektim të shpejtësisë së kufizuar, rreth 100 për rripin e sigurisë dhe 34 për drejtim të mjetit pa patent shoferë, teksa 20 për tejkalim në vijë të plotë apo vend të ndaluar.

“Duke apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen rregullave dhe shenjave të trafikut, ju njoftojmë se Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor-Prishtinë do të vazhdoj aktivitetet policore për mbarëvajtje dhe siguri në rrugë”, thuhet në njoftim.