Pezullimi i vizave nga ShBA-ja për Kosovën dhe dhjetëra vende tjera: A ishte politik kriteri i përzgjedhjes së shteteve?

Njohësit e rrethanave politike kanë komentuar vendimin e ShBA-së ngrirjen e procesit të dhënies së vizave për Kosovën, Shqipërinë dhe dhjetëra shtete të tjera. Ata kanë sqaruar se vendimi ka të bëj vetëm për vizat e emigracionit dhe jo për vizat turistike.

Sipas tyre, kriteri i zgjedhjes shteteve nuk është politik.

Politologu Agon Maliqi ka vlerësuar se vendimi lidhet me të dhënat se imigrantët prej këtyre 75 shteteve janë përdorues të lartë të ndihmave sociale.

“Vazhdon të ketë keqkuptime mbi vendimin e djeshëm të SHBA për vizat. Së pari, ai ka të bëjë vetëm me vizat e imigracionit (pra për ata që ia kanë mësyer të jetojnë atje) dhe jo për vizat normale turistike apo afariste për vizita të shkurtëra. Së dyti, kriteri i përzgjedhjes së shteteve nuk është politik, por lidhet me të dhënat (të botuara para disa ditësh edhe në mediat tona) se imigrantët prej këtyre 75 shteteve janë përdorues të lartë të ndihmave sociale (e të cilët qeveria e djathtë e Trump i sheh si abuzues). Ka shumë tregues të tjerë që mund të përdoren si shembull i problemeve në marrëdhëniet dypalëshe, por jo ky i vizave”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ky vendim i ShBA-së është komentuar edhe nga Valentin Lumaj, aktivist politik në ShBA.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ka treguar se ky vendim ka ardhur për disa arsyeje.

“I pari është versioni se si shtetet shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë, sillen ndaj qytetarëve të tyre, dhe si sillen shqiptarët që kanë emigruar në Amerikë ndaj shtetit amerikan. Unë mendoj se ky vendim nuk është i papritur, edhe nëse është politik. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë pasur politika për rritje të mirëqenies, të sigurisë, rendit publik, të drejtave njerëzore dhe të zgjedhjeve të lira”, ka deklaruar ai.

Ai ka përmendur edhe një arsyeje tjetër.

“Kjo është ana politike që mendoj se ka një ndëshkim ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Faktikisht, dy vendet renditen në botën e tretë, pra 2/3 e kombeve nuk përfshihen, vetëm 1/3 ku përfshihen Kosova dhe Shqipëria”, është shprehur ai.

Dy ditë më parë, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se do ta pauzojë procesimin e vizave për imigrantë për 75 shtete, përfshirë Kosovën e Shqipërinë, në përpjekje për t’iu kundërvënë aplikuesve që kanë gjasa të bëhen barrë për publikun, raporton televizioni amerikan “Fox Neës”.

Në një dokument të Departamentit të Shtetit, që u pa së pari nga “Fox Neës Digital”, zyrtarët e konsullatave udhëzohen që t’i refuzojnë vizat sipas ligjeve ekzistuese, gjatë kohës që Departamenti i Shtetit t’i rivlerësojë procedurat e kontrollit dhe vetingut.

Pauzimi i procesimit të vizave do të fillojë më 21 janar dhe do të vazhdojë për një afat të pacaktuar, derisa Departamenti i Shtetit ta kryejë rivlerësimin e procesimit të vizave për imigrantë.

Në listë, përpos Kosovës e Shqipërisë, ndodhen edhe disa vende të rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut e Bosnjën, por jo edhe Serbia.