Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet në Kosovë është kthyer në një proces që shtyhet vazhdimisht, pavarësisht paralajmërimeve, afateve dhe fushatave të njëpasnjëshme të institucioneve. Qeveria e Kosovës, e cila kishte premtuar nisjen e zbatimit që në fund të vitit 2024, ende nuk e ka vënë ligjin në fuqi plotësisht.
Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet në Kosovë ka kaluar përmes disa shtyrjeve dhe periudhave tranzitore, duke u shoqëruar me reagime politike, paralajmërime policore dhe fushata informuese nga institucionet shtetërore.
Sot, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, bëri të ditur se nga 16 janari do të nis zbatimi i këtyre dy ligjeve.
Mirëpo, sipas tij, faza e parë do të ketë karakter informues, ku vizitorët që hynin në vendkalimet kufitare do të pajiseshin me materiale që sqaronin procedurat dhe rregullat e reja.
Kjo periudhë, që do të zgjaste deri më 15 mars 2025, u përkufizua si “zbatim afirmativ” – një kohë e nevojshme për t’u përgatitur për zbatimin e plotë të ligjit pas marsit.
Bislimi theksoi se kjo fazë duhet të përdorej edhe për integrimin e sistemit shëndetësor dhe atij arsimor në të gjithë territorin e Kosovës.
Ligjet në fjalë prekin kryesisht personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës dhe automjetet me targa të huaja, të cilat, sipas rregullave të reja, duhet të pajisen me leje qëndrimi ose të regjistrohen brenda 72 orëve nga hyrja në vend.
Shtyrja e parë – nëntor 2024
Edhe pse zbatimi fillimisht ishte planifikuar për 1 nëntor 2024, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) vendosi ta shtyjë për disa muaj, me arsyetimin se duhej kohë për fushatë informuese.
Kjo shtyrje u bë për t’i dhënë qytetarëve dhe veçanërisht komunitetit serb në veri të vendit mundësinë që të njiheshin me procedurat dhe të rregullonin dokumentet e tyre.
Policia e Kosovës në atë kohë kishte deklaruar se drejtimi i automjeteve me targa të huaja në bazë të autorizimit ishte në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin rrugor, por ishte toleruar përkohësisht, derisa qytetarët të kishin kohë t’i ndërrojnë targat.
Zbatimi i ligjeve lidhet ngushtë me çështjen e targave të automjeteve, e cila kishte shkaktuar tensione që nga viti 2022, kur Kosova ndaloi qarkullimin e veturave me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.
Kjo masë solli protesta dhe largim të serbëve nga institucionet e Kosovës. Më vonë, një pjesë e tyre i regjistruan veturat në Serbi dhe i përdorën në Kosovë përmes autorizimeve të përkohshme.
Sipas institucioneve kosovare, këto autorizime ishin jo të vlefshme ligjërisht, pasi përmbanin të dhëna nga dokumente të lëshuara nga Serbia për qytete brenda territorit të Kosovës – dokumente që Prishtina zyrtare nuk i njeh.
Thirrjet e policisë – shtator 2025
Në shtator 2025, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri publikoi një thirrje për respektimin e Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete, duke kujtuar dispozitat e nenit 41:
Automjetet e regjistruara jashtë Kosovës mund të qëndrojnë jo më shumë se tre muaj nga hyrja në territor;
Drejtimi i një automjeti të tillë pa praninë e pronarit ose pa leje qëndrimi të vlefshme përbën kundërvajtje.
Shoferët që shkelin ligjin dënohen me gjoba nga 200 deri në 270 euro, në varësi të kategorisë së mjetit.
Policia njoftoi se nga 1 nëntori 2025 do të fillonte zbatimin strikt të masave ndëshkuese, përfshirë gjobat dhe ndalimin e qarkullimit për automjetet që nuk respektojnë afatet ligjore.
Pas këtyre paralajmërimeve, Lista Serbe dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit serb, përfshirë Nenad Rashiqin, kishin kërkuar që zbatimi i plotë i ligjeve të shtyhej edhe një herë.
Ata argumentuan se qytetarët serbë nuk ishin të informuar sa duhet dhe se procesi i dokumentimit ishte i vështirësuar nga mungesa e koordinimit ndërinstitucional.
Shtyrja e dytë – tetor 2025
Në tetor 2025, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi zyrtarisht se zbatimi i rreptë i Ligjit për të Huajt dhe për Automjetet do të shtyhej deri më 15 janar 2026.
Në këtë periudhë, MPB paralajmëroi zhvillimin e një fushate gjithëpërfshirëse informuese, që do të sqaronte kushtet e qëndrimit, regjistrimit të automjeteve dhe punësimit të shtetasve të huaj në Kosovë.
Sipas MPB-së, fokusi kryesor i kësaj fushate ishte informimi i qytetarëve që përdorin automjete me targa të huaja dhe atyre që jetojnë pa dokumente të Kosovës, duke theksuar se pas kësaj faze nuk do të ketë më tolerime.
Zyrtarisht, zbatimi i plotë i ligjeve është planifikuar të fillojë më 15 janar 2026, pas një viti e gjysmë nga njoftimi fillestar.
Gjatë kësaj kohe, Policia ka bërë të ditur se nuk do të aplikojë menjëherë masa dëbimi, por do të vazhdojë me njoftime dhe paralajmërime për ata që nuk kanë rregulluar dokumentet.
Sipas vlerësimeve të organizatave serbe dhe autoriteteve lokale, në Kosovë jetojnë rreth 100 mijë serbë, shumica me dokumente të Kosovës, por ende ka mijëra të tjerë që nuk kanë mundur të regjistrohen për shkak të mospërputhjeve administrative ndërmjet institucioneve të Serbisë dhe Kosovës.
Kosova shtyn zbatimin e rreptë të Ligjit për të huajt dhe për Automjete










