Interesim i jashtëzakonshëm për fjalët përfundimtare në Hagë: Gjykata Speciale del me njoftim

Pas një kohe të gjatë, procesi gjyqësor me shumë dëshmitarë e prova materiale, pas shumë betejash e përplasjesh, gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së ka prekur fundin.

Dëshmitarët kanë përfunduar, provat materiale gjithashtu, tash palët po presin për t’i thënë fjalët e fundit.

Dosjet përfundimtare pritet të dorëzohen deri të hënën më 19 janar.

Kurse, prej 9 shkurtit deri më 18 shkurt, Gjykata Speciale ka caktuar datat për fjalët përfundimtare.

Pas përfundimit të këtyre fjalëve, trupi gjykues ka tre muaj kohë për ta marrë vendimin. Pra, nëse llogaritet koha, atëherë vendimi më së largu pritet të shpallet në muajin maj.

Seancat e fjalëve finale do të mbahen prej 9 deri më 18 shkurt.

Fillimisht me Prokurorinë e cila ka thuajse dy ditë, më pas avokati i viktimave, e më pas mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së.

Në ditën e fundit, pra më 18 shkurt, pritet të flasin edhe katërshja e UÇK-së.

Duke qenë se këto janë seancat e fundit para vendimit, interesimi është i jashtëzakonshëm.

Andaj, Gjykata Speciale ka dalur me një njoftim/ftesë për mediat dhe të interesuarit që do t’i ndjekin seancat nga salla e mediave.

“Më 9 deri më 13 dhe më 16 dhe 18 shkurt, do të paraqiten para Dhomave të Specializuara në Hagë deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30. Ato mund të përcillen përmes transmetimit në faqen së internetit të DHSK-së me 45 minuta vonesë, në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte, ose nga galeria publike”, thuhet në fillim të njoftimit.

“Për shkak të interesit të madh për të marrë pjesë në këto seanca, regjistrimi paraprak është i domosdoshëm për të përcjellë seancat nga galeria publike në ndërtesën e gjykatës në Hagë. Për regjistrim paraprak, luteni të dërgoni një mesazh elektronik në adresën [email protected] me emrin tuaj dhe datat për të cilat dëshironi të regjistroheni. Gazetarët duhet të tregojnë organin e median që ata përfaqësojnë dhe nëse kanë nevojë për ulëse në qendrën për median”, thuhet më tutje në këtë njoftim.

Hyn në fazën përfundimtare gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në shkurt nisin deklaratat përmbyllëse

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave që përfaqëson 155 viktima pjesëmarrëse, paraqiti provat e saj në korrik 2025, dhe Mbrojtja e Thaçit dhe Mbrojtja e Krasniqit paraqitën provat e tyre nga shtatori deri në dhjetor 2025. Trupi Gjykues mbylli procedurën e paraqitjes së provave më 19 dhjetor 2025. Në këtë çështje, 134 dëshmitarë kanë dhanë dëshmi në gjykatë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga Mbrojtja. Gjithashtu, 164 deklarata dëshmitarësh u pranuan vetëm në formë të shkruar.