Një muaj paraburgim të dyshuarit për protestat e dhunshme më 2023 në Zveçan

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar 30 ditë paraburgim Slobodan Radenkoviqit, i cili dyshohet se mori pjesë në turmën e dhunshme të protestuesve në maj të 2023 Zveçan. Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN zëdhënësja Mirlinda Gashi.

Radenkoviq u arrestua më 14 janar në Zveçan. Ai dyshohet për katër vepra penale.

“S.R. është ndaluar mbi dyshimet për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar. Gjithashtu, në vendbanimin e të dyshuarit është zbatuar urdhër kontrolli, ku janë gjetur prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokurori special, Bekim Kodraliu, i cili po e heton rastin, ka thënë të mërkurën për Kosovapressin se edhe incizimet e protestës e dëshmojnë se Radenkoviqi kreu veprat penale.

“Gjatë bastisjes kemi gjetur veshmbathje të cilat i pandehuri i ka poseduar në kohën kur ka kryer veprat penale e në kuadër të provave tjera kemi edhe pajisjet elektronike, telefon dhe pajisje të tjera të cilat ekzaminohen nga Agjencia për Forenzikë e po ashtu dua të potencoj veprimtaria e tij kundërligjore është dokumentuar edhe me prova materiale siç janë video-incizimet dhe fotografitë në të cilat vetë i pandehuri shihet duke kryer veprat penale për të cilat ne konsiderojmë që i njëjti ka qenë i involvuar në këtë rast penal”, ka thënë Kodraliu.