FBI sjell agjent special dhe analist të inteligjencës në Kosovë, do të bashkëpunojnë me Policinë

Policia e Kosovës, ka njoftuar se drejtori i përgjithshëm i PK’së, Gazmend Hoxha, është takuar me atasheun Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe.

Nga PK’ja është shtuar edhe se, gjatë takimit atashetë amerikanë kanë prezantuar dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të intelligences të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.

Njoftimi:

Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së SHBA-së.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, në Prishtinë priti në një takim zyrtar Atasheun Ligjor të FBI-së, z. Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), znj. Kimberly Riffe.

Gjatë këtij takimi, atashetë amerikanë prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të intelligences të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.

Takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit.

Policia e Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë së SHBA-së, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si shembull të shkëlqyer të partneritetit profesional dhe strategjik në shërbim të sigurisë së qytetarëve.