Apeli mbyll për publikun seancën ndaj të dënuarit për dhunim gjatë luftës, Zhivojin Nesiq

Gjykata e Apelit e ka mbyllur për publikun seancën e së enjtes në rastin ku Zhivojin Nesiq është dënuar nga shkalla e parë me 15 vite burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, saktësisht për dhunim seksual ndaj një viktime.

Kolegji i Apelit i përbërë nga Albina Shabani-Rama gjyqtare referuese, Avni Mehmeti kryetar i trupit gjykues dhe Vaton Durguti anëtar, sipas detyrës zyrtare mori aktvendim për mbylljen e seancës për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kolegji konstaton se sipas detyrës zyrtare dhe sipas nenit 390, paragrafi 5, lidhur me nenin 289 të KPPRK-së, me qëllim të ruajtjes së informacioneve dhe jetës personale të të dëmtuares në këtë rast, duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me vepër penale krime lufte kundër popullatës civile që përfshinë veprën penale “Dhunimi”, ndaj të dëmtuarës dhe me qëllim që asnjë informacion të mos bëhet publik, kolegji merr aktvendim: seanca e kolegjit do të jetë tërësisht e mbyllur për publikun”, tha gjyqtari Mehmeti.

Në seancë ishin të pranishëm: nga Prokuroria e Apelit, Sebahate Hoxha, mbrojtësja e palës së dëmtuar- avokatja Makifete Saliuku, i akuzuari Zhivojin Nesiq me mbrojtësit e tij, avokatët Millosh Deleviq dhe Lubomir Pantoviq.

Gjykimi ndaj të akuzuarit Nesiq kishte filluar më 11 shtator 2024, e i cili gjykim nga shkalla e parë ishte mbajtur i mbyllur për publikun, për arsyet e njëjta të cilat i potencoi edhe Kolegji i Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 qershor 2025 shpalli aktgjykim me të cilin Nesiq u shpall fajtor se në bashkëkryerje me pjesëtarë të panjohur të forcave serbe, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Ai u dënua me 15 vjet burgim.

Ndryshe, në fillim të seancës fillestare më 11 shtator 2024, gjykatësja Violeta Namani-Hajra kishte bërë të ditur se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të datës 26 gusht 2024, Zhivojin Nesiq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal Jogosllav, aktualisht e inkriminuar si “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143 paragrafi 1, nën paragrafi 1.6 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.