Dronët nga Serbia në Kosovë, KFOR-i deklaron se kanë kontaktuar ushtrinë serbe: Do vazhdojmë monitorimin e situatës

Dy dronë të dyshimtë pretendohej se janë parë duke hyrë në Kosovë, nga territori i Serbisë.
Ky informacion u publikua tri ditë më parë, duke bërë të ditur se përmes pikave kufitare që prekin fshatrat si, Muqivërc dhe Novosellë se rreth orës 20:40 nga disa banorë të fshatit policia u informua se kanë vërejtur dy drona duke lëvizur nga Serbia në Kosovë rreth vijës kufitare dhe për më se shumë se 20 minuta kanë qëndruar statik në afërsi të stacionit policor të Serbisë në fshatin Breznicë.

E për këtë çështje, lajmi.net ka pyetur edhe KFOR-in.Në përgjigjen e dhënë nga KFOR-i u bë e ditur se të njëjtit janë informuar për këtë zhvillim që u supozua të ketë ndodhur më 12 janar.

KFOR-i u njoftua nga Policia e Kosovës se i kishte vëzhguar dy avionë pa pilot që vinin nga an e Serbisë përmes vijës kufitare administrative, afër fshatit Kamenicë.

Pas kësaj, KFOR-i bëri të ditur se ka kontaktuar me Forcat e Armatosura të Serbisë, ku është thënë se nuk kanë kryer asnjë aktivitet në atë vend, e në atë kohë specifike.

“KFOR-i u informua për këtë zhvillim të supozuar më 12 janar 2026. Policia e Kosovës (PK) i komunikoi KFOR-it se kishte vëzhguar dy avionë pa pilot që vinin nga ana serbe e Vijës Kufitare Administrative (ABL), pranë fshatit Kamenicë.Pas kësaj, KFOR-i kontaktoi Forcat e Armatosura Serbe, përmes procedurave të mirëpërcaktuara. Këto përfshinin një komunikim telefonik dhe një shënim zyrtar me shkrim duke kërkuar një përgjigje të detajuar mbi çështjen. Përgjigja e menjëhershme e Forcave të Armatosura Serbe përmes telefonit ishte se ata nuk kishin kryer asnjë aktivitet në atë vend, në atë kohë specifike”,thuhet në përgjigjen e dhënë nga KFOR-i.

Po ashtu u tha se KFOR vazhdon të monitorojë nga afër situatën- duke përfshirë këtu anën e Kosovës dhe të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Gjithashtu nga KFOR-u u tha se për çdo detaj shtesë do të japin informacione të tjera.

E për këtë çështje një përgjigje nuk pati nga Policia e Kosovës, apo nga institucionet tjera të sigurisë në vendin tonë./Lajmi.net/