“Mendova vërtet se do të vdisja”; rrëfimi i lojtarit të Pescara për dramën në Crans-Montana

Fillimi i vitit 2026 për Eliot Thelen, futbollist i ri luksemburgas i Pescara, ishte dramatik. Natën e Vitit të Ri ai ndodhej në lokalin “Le Costellation” në Crans-Montana (Zvicër), ku një festë u kthye në tragjedi për shkak të zjarrit që shkaktoi 40 të vdekur dhe 116 të plagosur.

Sot, për “Il Messaggero”, Thelen rrëfeu: “Nga ana psikologjike, kthimi në Pescara më ndihmon shumë, sepse jam rikthyer te futbolli dhe jam me shokët e skuadrës që po më qëndrojnë afër”.

Duke kujtuar momentet e tmerrit, ai thotë: “Rashë përtokë dhe mbeta i bllokuar, pa arritur dot te dera e lokalit. Më dukej kohë e pafund, sepse nuk merrja frymë nga tymi. Pastaj dikush më kapi dhe më nxori jashtë. Pashë skena të tmerrshme; njerëz të djegur dhe të tjerë pa flokë. U përpoqa të ndihmoja miqtë, isha zbathur dhe iu dhashë bluzën e xhupin atyre që kishin më shumë nevojë”.

I pyetur nëse kishte frikë nga vdekja, ai pranoi: “Po, pata shumë frikë. Kur isha përtokë mendova vërtet se do të vdisja, pastaj erdhi ajo dorë që më nxori”.

The post “Mendova vërtet se do të vdisja”; rrëfimi i lojtarit të Pescara për dramën në Crans-Montana appeared first on Telesport.